Isksh: Fuqizim Të Spitaleve Rajonale Me Të Gjitha Shërbimet Shëndetësore
- Sipas hulumtimit të ISKSH-së, spitalet në vend janë joefiçiente në pjesën më të madhe të tyre, sidomos ato bashkiake-
TIRANË, 20 Maj/ATSH-Eriola Çuko/ - Spitalet në vend janë joefiçiente në pjesën më të madhe të tyre, sidomos ato bashkiake, të cilët kanë statusin e spitaleve, por në të vërtetë ofrojnë shërbime si në qendrat e kujdesit parësor, bëhet e ditur nga hulumtimi i hollësishëm i Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor për gjendjen e spitaleve në vend.
Konferenca "Ekonomia sociale e tregut, sfidat për përmirësimin e shërbimit spitalor në Shqipëri", e organizuar sot nga ISKSH dhe fondacioni gjerman "Konrad Adenauer" në Hotel 'Rogner', adresoi një sërë problemesh të spitaleve, duke nxjerrë të gjithë detajet se çfarë ata kanë dhe nuk kanë.
"Është punë voluminoze e bërë nga ISKSH, që në momentin që Instituti ka qenë i ngarkuar nga Qeveria për të dhënë disa opsione për një vazhdimësi reforme në sistemin spitalor", tha drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana.
"Disa spitale në nivel bashkie nuk justifikojnë funksionet publike për të cilat janë krijuar dhe financohen. Aktiviteti i tyre është në nivelin e shërbimeve ditore si urgjenca, vizita ambulatore nga disa mjekë specialistë apo të përgjithshëm", tha Hana. Ndërsa spitalet rajonale, sipas saj, "kanë mangësi në disa specialitete të domosdoshme, e lidhur kjo në mënyrë të veçantë me mungesën e investimeve në salla kirurgjie, sherbime të reanimacionit dhe mjekë kirurgë, etj".
"Gjithashtu, vihet re edhe mosvënia në eficiencë e investimeve të kryera si në spitalin e Tepelenës, ku nuk funksionon salla e kirurgjisë për shkak të mungesës së personelit. Ndërsa në Gjirokastër sallat e kirurgjisë janë të amortizuara, gjë që mund të racionalizohej nisur nga fakti që këto qytete janë pranë njëri-tjetrit", theksoi Hana.
Duke prezantuar disa rezultate, ajo nënvizoi se "numri i ulët i pacientëve të trajtuar dhe treguesi i ulët i shtratit në disa spitale flet për eficiencën e ulët të tyre dhe përdorim joracional të fondeve të alokuara". "Indikatori i shfrytëzimit të shtratit në shkallë vendi është 33 %, në nivel spitali rajonal 47 % dhe në nivel spitalesh bashkiake 29 %, tregues mjaft i ulët dhe larg mesatares së vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore, ku është rreth 73 %", tha Hana, duke u ndalur edhe në nivelin e ulët profesional të administrimit financiar të spitaleve.
Ndërkohë, nisur nga situata, ISKSH ka ofruar tre opsione. "Ne i kemi grumbulluar këto të dhëna dhe duke i shërbyer idesë së Qeverisë për t'i transformuar këto spitale kemi dhënë tre opsione; mbajtja e spitaleve rajonale dhe bashkiake në të njëjtën kohë; fuqizimi i spitaleve rajonale, qoftë me shërbime, qoftë me pajisje; disa spitale bashkiake që janë joeficiente të kthehen në qendra të parësorit, apo të emergjencës, në varësi të shërbimeve që ofrojnë aktualisht, duke mos u humbur dhe atyre funksionaliteti", tha drejtoresha e ISKSH-së.
Pavarësisht se ISKSH mbron variantin për fuqizimin e spitaleve rajonale me të gjitha shërbimet, opsionet do të diskutohen me të gjithë aktorët, diskutime që do të drejtohen nga Task- Force për reformën në shëndetësi, e ngritur prej disa muajsh dhe e drejtuar nga Kryeministri.
"Tre opsionet do t'i propozojmë në Task force, duke dhënë mendimet tona teknike dhe më pas do të jetë ajo që do të bëjë të gjithë koordinimin e aktorëve dhe të vendimmarrësve, në mënyrë që të arrihet në një vendim dhe një platformë më të përcaktuar", tha drejtoresha e ISKSH-së./s.s./