English

Italia, Shqipëria Dhe Greqia Kundër Trafikimit Të Grave Dhe Fëmijëve

TIRANË, 20 Maj /ATSH, Mira Shkurta / - Në luftën kundër trafikimit të qënievfe njerëzore, forcimi i partneritetit të Shqipërisë me Italinë dhe Greqinë përmes shkëmbimit të praktikave më të mira, trajnimit, informacionit dhe ndërgjegjësimit të publikut kundër fenomenit të trafikimit të qenieve njerëzore, pranohen si mjaft të domosdoshme në kuadër rajonal. Rreth këtyre çështjeve, përfaqësues të lartë të ministrive të Brendëshme të 3 vendeve, të organizatave ndërkombëtare dhe shoqërisë civile, diskutuan sot në Tiranë për problematikën e nevojshme për të luftuar trafikun e qenieve njerëzore,veçanërisht fëmijëve në Shqipëri. Në takim që përmbyllte projektin "Italia,Shqipëria dhe Greqia kundër trafikimit të grave dhe fëmijëve", i financuar nga KE, diskutantët theksuan se "partnerët me natyra të ndryshme, mund të ndërtojnë politika të mira për vendet e tyre". Projekti i nisur në vitin 1998 në Shqipëri u zhvillua nga operatorët dhe koordinatorët përmes programeve të karakterit social, kryesisht për fëmijët dhe gratë në vështirësi, viktima të trafikut, dhunës, etj. Në takim u vu në dukje se në Shqipëri trafikimi i fëmijëve dhe grave lidhet me familjet me pamundësi zhvillimi, dhunë në familje, komunitete pa mbështetje të shërbimeve sociale, etj. Presidentja e CIES (Qendra e Informimit dhe e Edukimit për Zhvillim), Elisabeta Melandri, u shpreh se projekti përfshiu një bashkëpunim të mirë mes sektorëve privatë dhe publikë në luftën kundër fenomenit të emigrimit të paligjshëm, kryesisht të grave dhe fëmijëve, veçanërisht në rajonin e Ballkanit. Rëndësia e bashkëpunimit, sipas zv/ministres së Brendëshme, Iva Zajmi, lidhet ngushtë me njohjen e të drejtave të viktimave të trafikut, lufta kundër organizatave kriminale, përgjegjëse të këtyre lloj krimeve. Ajo vlerësoi ndihmën që Qeveria italiane dhe delegacioni i KE-së i kanë dhënë Shqipërisë jo vetëm për çështjet e emigracionit, por dhe në ringritjen ekonomike sociale, për ta bërë një partner të denjë në vendet e BE-së. Tryeza e përfaqësuesve të tre vendeve, përcaktoi dialogun dhe bashkëpunimin midis Shqipërisë, Greqisë dhe Italisë në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Fushat e bashkëpunimit dhe bashkërendimit të politikave të migracionit, u përqendruan në mbrojtjen e viktimave, parandalimin e fenomenit, kundërshtimin e krimit dhe ngritjen e një kuadri të përbashkët ligjor, të përcaktuara sipas Konventës së Palermos në vitin 2000./n.m/
KOMENTE