English

Kakavije: Arrestohet Një Person I Dënuar Me 20 Vjet Burg Për Vrasje

KAKAVIJE, 20 Maj/ATSH-Telnis Skuqi/ - Një person në kërkim, i dënuar me 20 vjet burg për vrasje, u arrestua sot në mesditë nga forcat e policisë së Gjirokastrës në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës në jug të vendit. Drejtoria e Policisë së Qarkut të Gjirokastrës bëri të ditur për ATSH-në, se "Vilson Veizi, 31 vjeç, lindur dhe banues në Fier, u ndalua në Kakavije teksa tentonte të dilte nga territori shqiptar me një vizë të rregullt". Burimet thanë se viza shengen ishte siguruar në mënyrë të ligjshme nga një avokat grek. Sipas policisë, 31 vjeçari Veizi akuzohet se një vit më parë ka vrarë në qytetin e Durrësit një shtetas, si dhe ka plagosur një tjetër për motive të dobëta. Gjatë këtij viti, forcat e Policisë së Qarkut të Gjirokastrës kanë ndaluar në kufirin Shqipëri-Greqi, 13 persona të shpallur në kërkim, njëri prej të cilëve më burgim të përjetshëm. /s.s./
KOMENTE