Dushanbe, (Taxhikistan) 20 maj, NOA – Për herë të parë vendet e Organizatës së Konferencës Islamike, (OKI) janë shprehur në mënyrë të qartë për mbështetje ndaj pavarësisë së Kosovës.
Në seancën përmbyllëse të Ministerialit të OKI në Dushanbe të Taxhikistan, ministrat e Jashtëm të vendeve islamike kanë miratuar rezolutën “Mbi Situatën në Kosovë” . Ky dokument është miratuar dhe nga vendet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Në takimin e ministrave të OKI, ka qenë i pranishëm dhe zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Jashtme, “kjo Rezolutë, e iniciuar nga Shqipëria dhe miratuar me unanimitet të plotë nga 57 shtetet anëtare të OKI-së, ka një rëndësi të jashtëzakonshme dhe përbën një sukses të madh për Kosovën dhe njohjen e saj të mëtejshme”.
Në këtë mënyrë vendet e OKI-së, për herë të parë, mirëpresin përpjekjet e vazhdueshme të Bashkimit Evropian për avancimin e perspektivës evropiane të Kosovës dhe të të gjithë Ballkanit Perëndimor, si një kontribut vendimtar për stabilitetin dhe prosperitetin rajonal.
Rezoluta i referohet në dokumentin e saj, deklaratës së pavarësisë së Kosovës, dhe përmes kësaj rezolute evidenton qartë se që nga shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008, Kosova ka bërë progres të dukshëm në ndërtimin e institucioneve demokratike, forcimin e shtetit ligjor, zhvillimin ekonomik dhe integrimin në familjen evropiane.
Rezoluta evidenton, gjithashtu, se Kosova është bërë anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore.
Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, pas miratimit të rezolutës tha se ky dokument “është dëshmi e qartë e mbështetjes së fuqishme të vendeve anëtare të OKI-së ndaj shtetit të ri të Kosovës, të cilët vlerësojnë se pavarësia e saj ka krijuar një klimë paqësore me ndikim pozitiv në marrëdhëniet ndëretnike në Kosovë, dhe ka kontribuar ndaj ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në të gjithë rajonin”.
Nga ana tjetër, Meta u shpreh se kjo rezolutë “dëshmon për një klimë të re në marrëdhëniet e OKI-së me Kosovën, duke na forcuar besimin se vende të tjera të kësaj Organizate pritet ta njohin shtetin e ri në të ardhmen e afërt”.
m.xh/NOA