English

Kosovë : Pas 10 Vjetësh, Shqiptarët Punojnë Tokat Në Veri Të Mitrovicës

PRISHTINË, 20 Maj /ATSH-B.Jashari/.- Në veri të Mitrovicës ka rifilluar punimi i arave nga pronarët shqiptarë pas më shumë se dhjetë vitesh. Punimet në tokat bujqësore, prona të banorëve të Suhadollit dhe Vidimriqit i vizituan sot zyrtarë të komunës së Mitrovicës dhe koordinatori i Qeverisë së Kosovës për Strategjinë gjithëpërfshirëse për veriun, Ylber Hysa. Për subvencionimin e fermerëve në këtë pjesë të Kosovës është nënshkruar këtë pranverë një Memorandum Mirëkuptimi ndërmjet komunës së Mitrovicës, koordinatorit të Zyrës së Qeverisë së Kosovës për Veriun dhe ministrisë kosovare të Bujqësisë. "Gjithçka po shkon mirë dhe njerëzit janë shumë të kënaqur me këtë projekt, pasi për 10 vjet rresht nuk kanë mundur t'i punojnë tokat e tyre", tha Hysa. Ndërsa Rasim Veseli, drejtor i Drejtorisë për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë në komunën e Mitrovicës, thotë se interesimi i banorëve për t'u bërë pjesë e këtij projekti, përmes të cilit sigurojnë nga 280 euro për punimin e çdo hektari tokë, ka qenë shumë i madh. Ai thotë se kërkesat e fermerëve për punimin e tokës janë më shumë se për 100 hektarë, të paraparë në memorandumin e nënshkruar për subvencionimin e fermerëve të veriut. Shumë të kënaqur me punën e nisur, shprehen dhe banorët e asaj ane. Ali Haliti, në arën e të cilit pas më se dhjetë vitesh shihet gjallëri nga traktorët që lëvrojnë arën, thotë se "tani duket që gjërat kanë nisur të kthehen mbarë". Ai shton se pas luftës disa herë kishin provuar që t'i punonin tokat e tyre, por u mungonte siguria. Në mbledhjen e kaluar të Komitetit të Sigurisë në Mitrovicë, kryetari i komunës, Avni Kastrati e konsideroi si zhvillim pozitiv nisjen e punimeve në tokat bujqësore që ndodhen në veri të qytetit pas memorandumit të mirëkuptimit të nënshkruar për projektin e mbështetjes së fermerëve atje. "Përveç fermerëve shqiptarë, ka edhe serbë të interesuar që të përfitojnë nga ky projekt", thotë Kastrati. /a.ke/
KOMENTE