Kosovë - Sejdiu Kërkon Njohjen E Pavarësisë Në Forumin Ekonomik Islamik Botëror
PRISHTINË, 20 Maj /ATSH-B.Jashari/.- Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, në takimet me liderë vendesh pjesëmarrëse në Forumin Ekonomik Islamik Botëror në kryeqytetin e Malajzisë, Kuala Lumpur, kërkoi njohjen e pavarësisësë Kosovës.
Zyra e Presidentit të Kosovës bëri të ditur sot se Sejdiu ka pasur takime me Presidentin e Indonezisë, Susilo Bambang Yudhoyono, me Presidentin e Senegalit, Abdullaye Wade, me Kryeministren e Bangladeshit, Sheikh Hasina, etj.
Presidenti Sejdiu ka falënderuar Presidentin e Senegalit, Abdullaye Wade, për njohjen e pavarësisë së Kosovës, si dhe për politikën afirmuese për Kosovën që ka ky vend në kontinentin e Afrikës.
"Republika e Kosovës po dëshmohet fuqishëm si një vend i paqes, i stabilitetit dhe i prosperitetit në rajon, ndaj është koha që ta merrni në konsideratë kërkesën tonë për njohjen e pavarësisë së vendit tonë", ka qenë thirrja që Presidenti Sejdiu u ka bërë homologëve të tij, udhëheqës të vendeve shumë të rëndësishme të Azisë Juglindore.
Presidenti Sejdiu ka pasur takime bilaterale me Kryeministrin e Malajzisë, Dato' Sri Mohd Najib Tun Abdul Razak, me Sulltanin e Brunejit, Hassanal Bolikah dhe me Presidentin e Maldiveve, Mohamed Nashed./s.s./