English

Kuvend, seancë dëgjimore me përfaqësues të Fondit Shqiptar të Zhvillimit

Tiranë, 20 Maj 2010 NOA - Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, dëgjoi sot raportin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, që u paraqit nga Drejtori Ekzekutiv Benet Beci mbi projektet aktuale që po financohen në infrastrukturën rrugore dhe zbatimin e tyre.

Kryetari i Komisionit, Jemin Gjana vuri në dukje se kjo seancë dëgjimore, e përcaktuar përpara disa javësh, zhvillohet duke parë se vitet e fundit është intensifikuar kapaciteti i lëvrueshmërisë së fondeve dhe investimeve, si dhe është vënë re një rritje në cilësinë e punimeve.

Në fjalën e tij përpara Komisionit, Beci theksoi se FSHZH ka qenë i pranishëm në të gjithë vendin me investimet e tij dhe e ka shtrirë punën e vet në tre drejtime kryesore: projekti i rrugëve dytësore, ndërtimi i ujësjellësve ruralë dhe projektet në komuna me resurse turistike dhe ekonomike.

“Gjatë vitit 2010 janë ndërmarrë rreth 110 projekte në infrastrukturën rrugore, 37 prej të cilave janë projekte të rrugëve rajonale të shpërndara në të gjitha qarqet e vendit,” tha, ndër të tjera Beci.

Impakti ekonomik ka qenë një ndër faktorët kryesorë në të cilin FSHZH është bazuar në përzgjedhjen e projekteve që do të zbatohen. Shuma e financuar për investimet për ndërtimin e rreth 1500 kilometra rrugë dytësore arrin në 420 milionë dollarë. Investimet janë ndërmarrë nga FSHZH në bashkëpunim edhe me donatorë të huaj si Banka Europiane për Zhvillim, Banka Europiane e Investimeve, Banka Gjermane për Zhvillim, etj.

Gjatë muajve të fundit FSHZH në bashkëpunim me Bankën Gjermane për Zhvillim ka financuar edhe 2 projekte të tjera të rëndësishme: ndërtimi i 28 ujësjellësve për 50 fshatra në zonën veriore të vendit, si dhe ndërhyrje në 10 komuna me resurse turistike dhe ekonomike të veçanta. Në total, shuma e investimeve në proces zbatimi arrin në 120 milionë dollarë.

Përsa i përket cilësisë së investimeve, zoti Beci vuri në dukje se ky mbetet një faktor prioritar, duke bërë të mundur që FSHZH në bashkëpunim edhe me donatorët të realizojnë investime në infrastrukturën rrugore brenda standardeve europiane.

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, në tërësi, vlerësoi pozitivisht punën e bërë nga FSHZH. Sipas anëtarëve të këtij Komisioni, performanca e deritanishme ka treguar se Fondi është shumë efektiv duke sjellë si rezultat rritjen sasiore dhe cilësore të investimeve në infrastrukturë.

r.n/NOA

KOMENTE