Kuvendi Miraton Ligje Të Rëndësishme Për Reformën Ligjore Dhe Zhvillimin Ekonomik
TIRANË, 20 Maj/ATSH/.- Kuvendi i Shqipërisë miratoi sot dy ligje dhe një akt normativ, të cilat janë me rëndësi në drejtim të reformës ligjore dhe zhvillimit ekonomik të vendit.
Objektivi i ligjit të miratuar "Për kundërvajtjet administrative" janë përcaktimi i rregullave për konstatimin dhe shqyrtimin e kundërvajtjeve administrative, i procedurave dhe afateve të ankimimit të akteve, që vendosin ndëshkime apo sanksione administrative dhe procedurave të ekzekutimit të këtyre sanksioneve.
Deputetët dhe Ministri i Financave, Ridvan Bode e vlerësuan ndër të tjera ligjin si çelësin e reformave për konsolidimin e së drejtës në Shqipëri dhe si standard tërësisht europian, në marëdhëniet mes administratës shtetërore, biznesit e publikut në tërësi.
Ndërsa ligji tjetër i miratuar sot "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin "Për taksat kombëtare", i hartuar me konsulencën e ekspertëve të BE-së, synon përafrimin e kuadrit ligjor për taksat kombëtare me MSA-në dhe me praktikat më të mira të vendeve të BE-së.
Deputetët duke analizuar në detaje teknike ndryshimet te disa taksa kombëtare, vlerësuan veçanërisht përmirësimin në mekanizmat fiskalë për mbrojtjen e mjedisit, barazinë në trajtimin fiskal të taksapaguesve, decentralizimin e të ardhurave në drejtim të pushtetit vendor, si dhe faktin që ky ligj sjell rritje të të ardhurave në buxhetin e shtetit.
Akti Normativ "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin "Për konçensionet" synon suprimimin e Agjencisë së Koncesioneve dhe shpërndarjen e kompetencave të saj midis dy institucioneve ekzistuese: Agjencisë së Prokurimit Publik dhe Komisionit të Prokurimit Publik, duke siguruar një ndarje të qartë të detyrave dhe kompetencave në monitorimin e mbikqyrjes së procedurave koncesionare.
Deputetët miratuan rezolutat për vlerësimin e veprimtarisë së Autoritetit të Konkurrencës për vitin 2009 dhe të Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare për vitin 2009.
Pas betimit të Irma Baraku si Komisionere për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Kuvendi i Shqipërisë miratoi strukturën, organikën dhe nivelin e pagave për Institucionin e Komisionerit.
Në seancën e sotme deputetët miratuan dhe kalendarin trijavor të punimeve 4 Maj-10 Qershor./n.m/