Lista E Opracioneve Kirurgjikale Në Spitale Do Të Afishohet Dukshëm Për Pacientët Dhe Familjarët
- Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, ka firmosur urdhrin për interventet kirurgjikale -
TIRANË, 20 Maj/ATSH-Eriola Çuko/ - Duke filluar nga dita e sotme, lista e operacioneve kirurgjikale të planifikuara më parë do të përgatitet dhe afishohet në mënyre të dukshme për pacientët dhe familjarët e tyre. Ky është urdhri më i fundit i firmosur nga ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, në vazhdimësi të hapave të ndërmarrë për të rritur maksimalisht transparencën e komunikimit dhe luftën ndaj korrupsionit.
Duke e bërë të ditur për mediat këtë urdhër për interventet kirurgjikale, zëdhënësja e MSH, Alisa Demollari, sqaroi se "shpërndarja e operacioneve do të bëhet në mënyrë proporcionale, duke aktivizuar të gjithë kirurgët që shërbejnë në repartet e kirurgjisë e duke eleminuar në këtë mënyrë përqëndrimin e panevojshëm dhe abuziv të operacioneve kirurgjikale në pak duar".
Kjo transparencë, sipas MSH, mundëson eliminimin e çdo lloj pakënaqësie apo përpjekjeje për veprime korruptive, duke bërë të qartë për këdo se kush do ta kryejë operacionin dhe kohën kur operacioni do të kryhet.
Ndërkohë, janë drejtorët e spitaleve dhe shefat e shërbimeve që do ta ndjekin me rigorozitet zbatimin e përpiktë të këtij urdhëri, si dhe do të trajtojnë me përparësi çdo ankesë të qytetarëve lidhur me shërbimin dhe ndërhyrjet kirurgjikale.
MSH e konsideron prioritet madhor të saj transparencën e plotë ndaj qytetarit, si dhe luftën kundër korrupsionit. Ndërsa, marrëdhënia mjek- pacient është një binom i pazëvendësueshëm ku secila palë ka një rol të rëndësishëm për trajtimin sa më të shpejtë e cilësor ndaj sëmundjeve./s.s./