English

“Maratona Rinore 2010”, shfaqje finale në Durrës

Tiranë, 20 maj, NOA – “Maratona Rinore 2010”, një eveniment i përvitshëm, do të paraqesë sot në qytetin e Durrësit një shfaqje finale në teatrin Aleksandër Moisiu.

Festivali te Rinjve “Maratona Rinore 2010” organizohet nga Fondacioni Kulturor “Bluepidamnus”, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve, “Raiffeisen Bank” dhe Bashkisë Durrës.

Fituesit e kësaj maratone, zhvilluan sot një takim me ministrin e Kulturës, Ferdinand Xhaferraj.

“Maratona Rinore” është ideuar që të plotësojë më së miri kërkesat e të rinjve për t’u aktivizuar në fusha të ndryshme të artit dhe të evidentoje talentet e reja.

Gjatë edicioneve të kaluara festivali ka treguar se sa te nevojshme e kanë të rinjtë, të marrin pjesë në projekte të tilla.

Një nga qëllimet e këtij festivali është edhe një pjesëmarrje e gjerë e të rinjve nga e gjithë Shqipëria dhe jo vetëm duke e shndërruar Durrësin në kryeqytetin e rinisë. Krahas të rinjve nga Durrësi, Tirana, Shkodra, Korça e shumë qytete të tjera, në Durrës do të vijnë edhe të tjerë nga Prishtina, Ulqini, Budva, Shkupi dhe Sofia duke realizuar kështu shkëmbime kulturash dhe eksperiencash rinore.

Në festival të rinjtë konkurrojnë në gjini të ndryshme si këngë, kërcim modern, aerobi, etyd, skeç, pantomima, interpretim, valle popullore.

Ndër grupet e ftuara në festival veçohen ansambli i të rinjve “Zdravets” nga Bullgaria, orkestrën për kitarë “Vihuela” nga Prishtina, të cilët do të perfomojnë live këngë qytetare shqiptare të përpunuara, trupën e kërcimit moder “Rebis” nga Shkupi, trupën profesioniste “Stefan Ljubisa” nga Budva.

Gjate këtyre viteve kanë qenë me qindra të rinj pjesëmarrës si dhe mijëra të tjerë spektatorë dhe telespektatorë. Këtë vit festivali do të transmetohet në Shqipëri duke pasur Durrësin si kryeqytet të traditës dhe i kulturës Rinore.

m.xh/NOA

KOMENTE