English

Mero Baze refuzon të përballet me Rezart Taçin

Tiranë, 20 Maj 2010 NOA - Mero Baze refuzon të përballet me Rezart Taçin, në seancën e sotme gjyqësore. Gjyqtari i çështjes Petrit Çomo vendosi që të thërrasë sërish si dëshmitar Bazen së bashku me kolegët e tij Andi Bushati, drejtues i emisionit të Vizion Plus “Zonë e Ndaluar” dhe Arban Hasani, drejtor i lajmeve të Vizion Plus, të cilët nuk ishin paraqitur në seancën e sotme gjyqësore për të dhënë shpjegime në procesin gjyqësor në ngarkim të Rezart Taçit dhe dy truprojave të tij, Irgen Selfo dhe Bledar Lilo.

Në fletëthirrjen e djeshme dëshmitari Arban Hasani shpjegonte se deri në 20 maj nuk do të ndodhej në Shqipëri, ndërsa shtonte se i qëndronte pikë më pikë dëshmisë së dhënë përpara organit të akuzës.

Prokurori i çështjes Gjergji Tako i kërkoi gjykatës thirrjen edhe një herë të tre dëshmitarëve, por njoftimi të mos bëhej në institucionin ku ata punonin, por në banesat private. Seanca gjyqësore u shty për më datën 3 qershor në orën 12:30.

Të pandehurit të cilët janë duke u gjykuar në gjendje të lirë, për ngjarjen e ndodhur më 2 nëntor të vitit të kaluar në ish-bllok në lokalin “Kapriçio”.

Sipas hetimeve Mero Baze ishte me gazetarët Andi Bushati dhe Arban Hasani, ku Taçi i është drejtuar tavolinës së tyre për të sqaruar ofendimet e ndërsjella mes tyre.

Pas debateve kanë ndërhyrë dy truprojat të cilët kanë qëlluar me grushte Mero Bazen, ndërsa ky i fundit dyshohet se ka reaguar duke qëlluar me tavëll duhani.

e.r/r.n/NOA

KOMENTE