English

Meta-Moratinos: Kapërcimi I Situatës Politike Në Shqipëri, Përmes Dialogut Mes Maxhorancës Dhe Opozitës

- Dy homologët vlerësojnë se kriteri politik është shumë i rëndësishëm në procesin e integrimit europian - TIRANË, 20 Maj/ATSH/.- Zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta dhe homologu spanjoll, Miguel Angel Moratinos vlerësuan sot, se kriteri politik është shumë i rëndësishëm në procesin e integrimit europian dhe se kapërcimi i situatës politike në Shqipëri, duhet të vijë vetëm nëpërmjet dialogut politik dhe kontributit të përbashkët mazhorancë-opozitë për forcimin e institucioneve demokratike. Sipas zyrës së shtypit pranë MPJ-së, Meta zhvilloi sot një vizitë pune në Madrid, ku u prit në një takim pune nga Ministri i Punëve të Jashtme të Spanjës, Miguel Angel Moratinos, vendi i të cilit mban Presidencën e radhës së Bashkimit Evropian. Integrimi evropian i Shqipërisë, liberalizimi i afërt i regjimit të vizave për qytetarët shqiptarë, si dhe zhvillimet rajonale të Ballkanit Perëndimor në kuadër të Konferencës së afërt të Sarajevës, ishin në qendër të bisedimeve të zhvilluara mes tyre. Ministri Miguel Angel Moratinos, duke vlerësuar progresin që Shqipëria ka kryer në drejtim të integrimit evropian, u shpreh se Spanja do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë gjatë këtij procesi. Ai informoi Metën për përgatitjet nga ana e Presidencës spanjolle lidhur me mbajtjen e Takimit të Nivelit të Lartë në Sarajevë, në 2 qershor, që pritet të shënojë një hap të rëndësishëm përpara në procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor. Zv. Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Meta përshëndeti qëndrimin përkrahës dhe nxitës të Spanjës lidhur me procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe forcimit të perspektivës evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Të dy homologët ndanë mendimin se ky duhet të jetë një proces gjithëpërfshirës dhe se të gjithë vendet e rajonit, pjesë e të cilëve edhe Kosova, duhet të kenë një perspektivë të qartë evropiane. Duke u ndalur në bashkëpunimin dypalësh, ata vlerësuan progresin e kryer si dhe u angazhuan për thellimin e tij edhe në fusha të tjera me interes reciprok, veçanërisht në atë ekonomike, energjetike, shkëmbimeve tregtare dhe kulturore. Meta shprehu angazhimin e Shqipërisë për të luajtur një rol në rritje në kuadër të Unionit për Mesdheun, duke e cilësuar këtë forum shumë të rëndësishëm, jo vetëm për këtë rajon, por edhe për vetë Bashkimin Evropian. Në këtë kuadër, ai shprehu angazhimin për të mirëpritur së afërmi një nga Ministerialet e kësaj nisme në Shqipëri. Pasi vlerësoi rolin e veçantë të Spanjës për dialogun ndërkulturor, në kuadër të Aleancës së Qytetërimeve, Meta garantoi homologun spanjoll për angazhimin në rritje të Shqipërisë, si një vend që përmbush standarde të larta si në dialogun kulturor, ashtu dhe atë ndërfetar. Në kuadër të vizitës në Madrid, Meta u prit në një takim të veçantë edhe nga Kryetari i Komisionit Parlamentar të Politikës së Jashtme, Josep Antoni Duran y Lleida./m.m//n.m/
KOMENTE