English

Muzeu Për Nënë Terezën Do Të Ridimensionojë Identitetin Tonë

TIRANE, 20 Maj/ ATSH/- Me ngritjen e një muzeu për jetën dhe veprën e ikonës unikale të humanizmit dhe të paqes në Botë, Nënë Tereza, do të ridimensionojmë identitetin tonë dhe figurën e shqiptares që ndriçoi njerëzimin, tha sot bashkëshortja e Kryeministrit, Liri Berisha, presidente e Fondacioneve "Fëmijët Shqiptarë" dhe atij Kulturor "Nënë Tereza". Znj. Berisha zhvilloi një takim me një nga bashkëpunëtorët e saj, drejtuesin e Caritas-it Shqiptar, Albert Nikolla, ku shkëmbyen kontribute respektive në mbështetje të misoneve të tyre. Caritasi Shqiptar i dorëzoi znj. Berisha një kontribut financiar prej 200 mijë lekësh dhe një pikturë e punuar në akrelik me imazhin e humanistes shqiptare si mbështetje në realizimin e Muzeut për Nënë Terezën, si një nga projektet më sfiduese të Fondacionit Kulturor "Nënë Tereza". Duke shprehur mirënjohjen për misionin e Caritas në zbutjen e vuajtjeve të njerëzve në nevojë, znj.Berisha tha se "për ngritjen e muzeumit për Nënë Terezën do të bashkëpunohet me qeverinë". Pasi vuri në dukje rëndësinë e krijimit të këtij muzeu, ajo u shpreh se "është për të ardhur keq që ende nuk kemi një muze që flet për jetën dhe veprën e humnanistes që nderohet në të gjithë Botën, Nenë Tereza". Për realizimin e këtij projekti, theksoi znj. Berisha duhet të punohet fort, me qëllim që "të korrigjohet ajo pjesë e shëmtuar e historisë së popullit tonë, duke fituar kohën e humbur në mënyrë që të ridimensionojmë veten dhe figurën e Nënë Terezës". Fondacioni Kulturor "Nënë Tereza", i dorëzoi Caritas-it Shqiptar një çek me vlerë mbi 100 mijë dollarë, kontribut financiar i dhuruar nga shqiptarët e New York-ut për të ndihmuar familjet në zonat e përmbytura në fillim të vitit në Shkodër. Drejtuesi i Caritas-it Shqiptar, Albert Nikolla, falenderoi znj. Berisha, duke vlerësuar se puna e saj me fëmijët dhe drejtimin e Fondacionit "Fëmijët Shqiptarë" është një dimension që ushqen një model për të bërë vepra positive për njerëzit./e.gj//n.m/
KOMENTE