English

Në Wall Street, aty ku Euro po dobësohet ...

Nju Jork, 20 maj, - Tregjet financiare të botës janë përfshirë në kaos, ndërsa Greqia e disa vende të tjera të Eurozonës janë tejet të falimentuara dhe politikanët po luftojnë kundër spekulantëve me programe financiare që shkojnë në miliarda.

Këtyre iu shtuan edhe disa defekte teknike që shkaktuan në Wall Street të Nju-Jorkut një rënie të aksioneve me 1000 pikë brenda 30 minutash.

A ka ardhur koha për një reformë të tregjeve financiare?

Në ambientet e Wall Street-it në New York mbretëron një atmosferë e tensionuar. Ndjenjat e kënaqësisë së 14 muajve të fundit i takojnë së kaluarës.

Jason Weisberg, tregtar burse, ndjek me nervozizëm çdo mëngjes zhvillimet më të fundit... "Shikoj devizat dhe çmimin e floririt dhe kurset më tregojnë, edhe pse kjo tingëllon pak si teori konspiracioni, se Euroja nuk do t'ia dalë dot".

Para rreth gjashtë muajsh dy euro këmbeheshin me tre dollarë. Pas dizastrës greke monedha evropiane ndodhet në rënie të vazhdueshme. Ajo ka kohë që e ka rënë nga niveli i 1,25 dollarëve.

Nervoz është edhe tregtari Arthur Cashin: "Unë i shoh të dyja edhe tregtinë e devizave edhe tregun e sigurimeve në rast mospagimi të kredive, në to bëhen spekulime. Një tregti e çmendur. Të premten pati thashetheme se edhe Franca do të binte në renditje. Nuk ta merr mendja, por në thashethemet që përhapen në Wall Street ka gjithmonë diçka të vërtetë".

Çfarë, edhe Franca mund të falimentojë dikur? Ekonomia amerikane sapo është duke festuar rritjen e saj ekonomike, kur nga ana tjetër e oqeanit, nga Evropa e qëndrueshme po vjen një lajm i keq pas tjetrit. Dhe këto ndikojnë edhe në ekonominë amerikane, sepse sikurse thotë Jason Weisberg "oqeanet nuk ekzistojnë më", sepse aksionet dhe letrat me vlerë tregtohen në mbarë botën. Për këtë duhet që të arrihet një rregull ndërkombëtar për tregjet e financave, sepse një reformë vetëm për SHBA do të sillte për Wall Street-in një problem të madh në fushën e konkurrencës.

Nisma e administratës së Obamës do t'i paraqitet këtë ditë senatit. Edhe pse po kalon pa zhurmë kjo është fazë vendimtare. A do të arrihet ndalimi i bankave që të bëjnë tregti individuale apo rregullimi i tregtisë së derivateve? - thuhet se në këtë drejtim demokratët dhe republikanët po afrohen gjithnjë e më tepër në qëndrimet e tyre.

Ekspertët mendojnë se paketa me ligjet rregulluese do të miratohet brenda kësaj vere.

Deutsche Wel

KOMENTE