English

Nxënësit E Shkollave 9 Vjeçarë Njihen Me Zonat E Mbrojtura Dhe Masat Për T'I Ruajtur Ato

TIRANË, 20 Maj/ATSH-Eriola Çuko/ - Rreth 80 punime pikture dhe fotografi artistike me pamje nga zonat e mbrojtura në vend u ekspozuan sot në ambientet e Ministrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave, në kuadër të Ditës së Biodiversitet, 22 maj. Ndërkohë, nxënës të shkollave të ndryshme 9 vjeçare të qytetit të Tiranës, të shoqëruar nga mësues të lëndës së biologjisë, vizituan këtë ekspozitë të veçantë me pamje nga vendi, e cila do të qëndrojë e hapur për disa ditë me radhë. Drejtori i Biodiversitetit në MMPAU, Sajmir Hoxha, dhe specialistë të tjerë të mjedisit, shpjeguan për nxënësit konceptin e zonave të mbrojtura, por edhe masat për mbrojtjen e tyre. "Shqipëria shquhet për një biodiversitet të larmishëm dhe mbi 36 % e territorit mbulohet nga pyjet, që përbëhen nga një shumëllojshmëri drurësh dhe shkurresh pyjore", tha Hoxha. Sipas tij, si pjesë e biodiversitetit gjenden në gjendje natyrale dhe rreth 300 lloje të ndryshme bimësh mjekësore dhe aromatike, me vlera të larta dhe me interes jo vetëm për Shqipërinë, por edhe me interes global. Larmishmëria e drurëve, formacionet e ndryshme pyjore përbëjnë një vendstrehim të përshtatshëm edhe për faunën e egër. Në Shqipëri ndodhet rreth 30% e florës së Evropës, me rreth 3200 lloje bimësh, rreth 780 lloje shtazore vertebrore, 21 gjitare dhe 17 lloje shpendësh të një rëndësie globale. MMPAU, në kuadër të kësaj dite botërore, ka organizuar edhe një sërë aktivitetesh të tjera, me qëllim sensibilizimin e opininit publik për rëndësinë dhe për masat që duhet të merren për mbrojtjen e mjedisit. Dita Ndërkombëtare e Biodiversitetit u shpall nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara për të përkujtuar 22 majin e vitit 1992, kur u miratua teksti i Konventes së Biodiversitetit, në të cilën është palë dhe Shqipëria. Shqipëria i është bashkuar kësaj dite ndërkombetare, duke organizuar aktivitete të ndryshme sensibilizuese për vite me radhe në mbarë vendin. /s.s./
KOMENTE