Shkup, 20 maj, NOA - VMRO-DPMNE sërish të mërkurën ka provokuar BDI-në dhe bashkësinë ndërkombëtare duke u deklaruar publikisht se nuk ka asnjë lëvizje lidhur me zgjidhjen e tre kërkesave të bëra nga BDI-ja.
Nga kjo parti për agjencinë e lajmeve INA kanë refuzuar se do të ketë ndryshim të ligjeve për zgjidhjen e statusit të UÇK-së apo edhe qëndrime konkrete për rastet e Sopotit dhe rastet e Hagës. Deputeti i VMRO-DPMNE, Ilija Kitanovski ka theksuar se nuk do të ketë asnjë ndryshim të ligjeve për të zgjidhur statusin e familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të UÇK-së.
Deputetët e VMRO-DPMNE-së kanë refuzuar se brenda kësaj jave do të ketë zgjidhje lidhur me kërkesat e BDI-së, sidomos për statusin e UÇK-së. Nga ana tjetër, kreu i integristëve, Ali Ahmeti është në pritje të kthimit të kryeministrit Gruevski nga Samiti i Madridit, dhe realizimi i një takimi që do të definojë agjendën e zgjidhjes ose jo të kërkesave të BDI-së. Qëndrimet e forta dhe refuzuese të VMRO-DPMNE-së, krerët e lartë të BDI-së edhe dje i kanë shprehur në takimet e realizuara me diplomat euro-perëndimorë në Shkup. Nga zyra e BE-së dhe ambasada amerikane nuk kanë dhënë komente lidhur me tensionet dhe shfaqjen e krizës brenda koalicionit sidomos për kërkesat dhe ultimatumet e BDI-së lidhur me zgjidhjen e statusit të UÇK-së, rastin e Sopotit dhe rastet e Hagës.
Brodecasit kërkojnë të përfshihen në kërkesat e Ahmetit
Familjarë të të burgosurve të Brodecit kanë kërkuar edhe rasti i tyre të përfshihet në kuadër të kërkesave të bëra nga BDI-ja. Pjesëtarë të familjarëve të burgosur kanë apeluar që Ahmeti të marrë parasysh kërkesat e tyre dhe të kërkojë drejtësi për këtë rast të montuar. Nga BDI-ja nuk kanë komentuar këtë kërkesë të anëtarëve të familjarëve të burgosur të Brodecit. 13 banorë nga fshati Brodec u dënuan me 192 vite burg për rastin e Brodecit të nëntorit të vitit 2007 gjatë ndërhyrjes policore “Stuhia malore”, të qeverisjes të PDSH-së dhe VMRO-DPMNE-së.
Vendimi për Tarçullovskin rrezikon rastet e Hagës
Dënimi i vërtetuar për ish-oficerin e policisë, Johan Tarçullovski nga Gjykata e Hagës do të rëndojë kërkesën e tretë të BDI-së lidhur me shqyrtimin dhe mbylljen e rasteve të Hagës nga drejtësia e Maqedonisë. Një sinjal i tillë paraprakisht ishte dhënë nga selia e VMRO-DPMNE-së, e cila shpresonte në përgjigje pozitive dhe aktvendim lirues nga Tribunali i Hagës për Tarçullovskin Zgjidhja për rastet e Hagës po shqyrtohej të bëhej nëpërmjet Parlamentit, ku do të rikonfirmohej amnistia e përgjithshme e shpallur me ligj të posaçëm në vitin 2001. Kërkesat e BDI-së do të jenë të qartësuara në takimin e radhës midis Ahmetit dhe Gruevskit, ndërsa komunikimi deri tani po zhvillohet larg opinionit publik midis dy sekretarëve gjeneral të VMRO-DPMNE-së, Martin Protugjer dhe Abdilaqim Ademi nga BDI.
NOA-INA