Policia: Ekstradohet Nga Greqia Nje 26-Vjecar Ne Kerkim Nderkombetar Per Mashtrim
TIRANE, 20 Maj/ATSH-M. Shkurta/. - Sot pasdite, Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana ekstradoi nga Athina (Greqi) drejt Shqipërisë, shtetasin Indrit Nexhip Aliu 26 vjeç nga Vlora.
Burime nga Policia e Shtetit, bejne te ditur se ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me datë 01.04.2009, kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë "arrest në burg" për kryerjen e veprës penale të "Mashtrimit me pasoja të rënda".
Shtetasi Indrit Aliu duke u paraqitur si investitor ka mashtruar subjekte të ndryshme në shuma të mëdha.
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Athinën, më datën 18.11.2009, u bë i mundur arrestimi, me qëllim ekstradimi i tij drejt vendit tonë. Në aeroportin "Nënë Tereza" në Rinas ai j'u dorëzua përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve./n.m/