English

Reklama kundër Ramës, KKRT: Është e ligjshme, nuk nxit dhunën dhe pornografinë

Tiranë, 20 maj, NOA - Një ditë pas akuzave të deputetit, Socialist Fatmir Toçi për publikimin e spotit televiziv, që denonconte grevën e Partisë Socialiste, ka ardhur dhe reagimi i Këshilli Kombëtar të Radios dhe Televizionit.

Në deklaratën për mediat, KKRT thekson se spoti në fjalë nuk cenon asnjë prej ligjeve në fuqi për transmetimet televizive.

“Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit, mbas vizionimit të kryer, gjykon se reklama e transmetuar në disa media elektronike, e për të cilën bën fjale deputeti Toçi, nuk konsumon asnjë nga pikat e nenit të sipërpërpërmendur: nuk ushtron ndikim në përmbajtjen e programeve, nuk nxit pornografinë dhe dhunën; nuk është reklamë e tërthortë, nuk është reklamë e ndonjë partie apo shoqate politike dhe as nuk bie në kundërshtim me ligjet në fuqi”, thuhet në deklaratën e KKRT-së.

Argumentimi i KKRT-së bazohet në neni 55 të ligjit nr. 8410, datë 30.09.1998 “Për Radion dhe Televizionin Publik në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, i cili përcakton kriteret dhe kushtet, të cilat duhet të respektohen nga transmetuesit televizivë në dhënien e reklamave.

Më tej, KKRT-ja sqaron se “reklama në fjalë, nën siglën e lëvizjes “Zgjohu”, e cila pas verifikimeve tona rezulton të jetë një bashkim vullnetar individësh, synon të ndërgjegjësojë opinionin publik për një fenomen mjaft të mprehtë të shoqërisë shqiptare: luftën kundër korrupsionit”.

Ndërsa shton se transparenca e financimit të reklamës del jashtë objektit të punës së Këshillit Kombëtar të Radios dhe Televizionit.

“Përfitojmë nga rasti të theksojmë se Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit ka qenë dhe është i vendosur në zbatimin e legjislacionit në fuqi, duke ruajtur të njëjta standarde, për të gjitha subjektet radiotelevizive”, përfundon njoftimi zyrtar.

m.xh/NOA

KOMENTE