English

Seanca plenare, ligjet që u miratuan dhe dekretet që u votuan dhe u rrëzuan

Tiranë, 20 Maj 2010 NOA/ Përmbledhje - Kuvendi i Shqipërisë miratoi sot dy projektligje dhe një akt normativ, të cilat janë me rëndësi në drejtim të reformës ligjore dhe zhvillimit ekonomik të vendit.

Objektiv i projektligjit “Për kundërvajtjet administrative”është përcaktimi i rregullave për konstatimin dhe shqyrtimin e kundërvajtjeve administrative, përcaktimi i procedurave dhe afateve të ankimimit të akteve, që vendosin ndëshkime apo sanksione administrative, si dhe përcaktimi i procedurave të ekzekutimit të këtyre sanksioneve.

Deputetët dhe Ministri i Financave, Ridvan Bode e vlerësuan ndër të tjera projektligjin si çelësin e reformave për konsolidimin e të drejtës në Shqipëri dhe si standard tërësisht europian, në marrëdhëniet mes administratës shtetërore dhe biznesit e publikut në tërësi.

Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9975 datë 28.07.2008 “Për taksat kombëtare” të ndryshuar”, i hartuar me konsulencën e ekspertëve të BE-së, synon përafrimin e kuadrit ligjor për taksat kombëtare me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe me praktikat më të mira të vendeve të BE-së.

Deputetët, duke analizuar në detaje teknike, ndryshimet te disa taksave kombëtare, vlerësuan veçanërisht përmirësimin në mekanizmat fiskale për mbrojtjen e mjedisit, barazinë në trajtimin fiskal të taksapaguesve, decentralizimin e të ardhurave në drejtim të pushtetit vendor, si dhe faktin që ky projektligj sjell rritje të të ardhurave në buxhetin e shtetit.

Akti Normativ nr. 1, datë 5.5.2010 "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9663, datë 18.12.2006 "Për konçensionet" të ndryshuar” synon suprimimin e Agjencisë së Koncesioneve dhe shpërndarjen e kompetencave të saj midis dy institucioneve ekzistuese: Agjencisë së Prokurimit Publik dhe Komisionit të Porkurimit Publik, duke siguruar një ndarje të qartë të detyrave dhe kompetencave në monitorimin e mbikqyrjes së procedurave koncesionare.

Deputetët miratuan rezolutën për vlerësimin e veprimtarisë së Autoritetit të Konkurrencës për vitin 2009, si dhe rezolutën për vlerësimin e punës së Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare, për vitin 2009.

Pas betimit të zonjës Irma Baraku si Komisionere për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Kuvendi i Shqipërisë miratoi strukturën, organikën dhe nivelin e pagave për Institucionin e Komisionerit.

Kuvendi me votim të fshehtë dha pëlqimin për dekretet e Presidentit për emërimin e zonjës Altina Xhoxhaj dhe Bashkim Dedja, si anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe nuk dha pëlqimin për dekretin e Presidentit për emërimin si anëtar i Gjykatës Kushtetuese, të z.Vangjel Kosta.

Deputetët miratuan dhe kalendarin trijavor të punimeve 24 Maj – 10 Qershor. Seanca i mbylli punimet rreth orës 21:00.

r.n/NOA

KOMENTE