English

Shëndetësi - Obeziteti Lidhet Me Një Vëllim Të Vogël Të Trurit

UASHINGTON, 20 maj /ATSH-AFP/ - Obeziteti lidhet me një vëllim të vogël të trurit, mësohet nga një studim i publikuar sot që tregon gjithashtu një rritje të rrezikut për mosfunksionim të rregullt të trurit më tej gjatë jetës tek personat në moshë mesatare që kanë shëndet të mirë, por kanë një shtresë dhjami në bark . Këta shkencëtarë ekzaminuan rreth 733 persona të moshës mesatare, 70 prej të cilëve gra tek të cilët ata matën me anë të një skaneri IMC-në, treguesin e masës trupore (pesha pjesëtuar me gjatësinë në katror), diametrin e trupit dhe të brinjëve dhe dhjamin e barkut. Ata përcaktuan gjithashtu vëllimin e përgjithshëm të trurit me një IRM (aparaturë me rezonancë manjetike) si dhe densitetin e substancës së bardhë të trurit që përmban fibrat nervore dhe praninë e pllakave. "Rezultatet konfirmuan lidhjen mes rritjes së IMC-së dhe zvogëlimit të vëllimit të trurit tek personat më të vjetër dhe të moshës mesatare të vërejtur më parë në një grup prej më pak se 300 personash", thekson Dr. Sudha Seshadri, i fakultetit të mjekësisë së Universitetit të Bostonit, në verilindje, një nga autorët kryesorë të këtij studimi, i publikuar në edicionin në internet të "Annals of Neurology". "Akoma më e rëndësishme është që këto të dhëna tregojnë një lidhje më të fortë mes obezitetit, sidomos dhjamit të tepërt që ndodhet në organet e brendshme dhe një rreziku më të madh për demencë dhe sëmundjen e Alzhaimerit", shtoi ai. Rezultatet e këtij studimi që tregojnë një lidhje mes obezitetit dhe çmendurisë mund të çojnë në hartimin e strategjive që premtojnë parandalim, shprehet ky mjek. Sipas një raporti të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i publikuar në vitin 2005, më tepër se 24 milionë persona vuajnë nga një formë e demencës në botë dhe numërohen 4,6 milionë raste të reja çdo vit. Personat e prekur nga demenca vuajnë veçanërisht nga një rënie e kujtesës së shkurtër dhe të mesme dhe nga vështirësi për t'u shprehur. /I.Pu.
KOMENTE