English

Spitalet në qytete, ISKSH: Në punë, vetëm 29 % e tyre

Tiranë, 20 Maj, NOA - Instituti i Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor shprehet i pakënaqur për punën e spitaleve në disa qytete të vendit.

Nga një kontroll i imët që kanë kryer specialistët e tij vihet re se në disa bashki këto spitale funksionojnë si shërbim urgjence apo vizita ambulatore po jo si spital, siç kanë emrin dhe marrin fondet.

Drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana thotë se efiçenca e tyre lidhet me treguesin e shfrytëzimit të shtratit i cili për spitalet rajonale është 47 për qind në shkallë vendit ndërsa në nivel spitali bashkiak 29 %, tregues ky mjaft i ulët dhe larg mesatares së vendeve te Europës Qendrore dhe Lindore ku është rreth 73%.

“Disa spitale në nivel bashkie nuk justifikojnë funksionet publike për të cilat janë krijuar dhe financohen. Aktiviteti i këtyre spitaleve është në nivelin e shërbimeve ditore, si urgjenca, vizita ambulatore nga disa mjekë specialistë apo të përgjithshëm.

Kjo është një medalje që ka dy anë, si mungesa e shërbimit shëndetësor për komunitetin dhe alokim joracional i fondeve për mbajtjen e këtyre spitaleve në këmbë.

Sa i takon spitaleve rajonale, ato kanë mangësi në disa specialitete të domosdoshme dhe në mënyrë të veçantë e lidhur kjo me mungesën e investimeve në salla kirurgjie, shërbime të reanimacionit dhe mjekë kirurgë etj”, u shpreh Hana.

Nga vëzhgimi në terren që specialistët e ISKSH kanë kryer në gjithë vendin, veçohet spitali rajonal i Tepelenës në të cilin nuk funksionon salla e kirurgjisë, pasi nuk ka mjekë specialistë. Ndërkohë që në Gjirokastër, salla është e amortizuar.

Sipas Hanës me qëllim që reforma e financimit në shërbimin spitalor të funksionojë duhet të fuqizohen spitalet rajonale dhe nga ana tjetër disa spitale në nivel bashkie të kthehen në qendër shëndetësore, ku mund të ofrojnë shërbim urgjence, mikrokirurgji dhe disa shërbime të tjera pasi ato nuk justifikojnë fondet që u akordohen.

b.a/NOA

KOMENTE