English

Sport-Futboll/ Bekim Bala Fiton Çmimin "Talenti I Sezonit"

-Sulmuesi i Vllaznisë la pas Sokol Cikalleshin e Besës dhe Odise Roshin e Flamurtarit. Portieri i Besës, Orges Shehi, fiton çmimin "Fair-play" -. TIRANË, 20 Maj / ATSH- Gjergji Mima/ - Në një ceremoni festive, të organizuar në një nga sallat e Teatrit Kombëtar, vetëm një ditë pas përfundimit të sezonit 2009-2011, e ku merrnin pjesë drejtues të lartë në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve dhe Federatës Shqiptare, ish-trajnerë të ekipit kombëtar të futbollit, trajnerë klubesh, futbolliste, gazetarë sportivë etj, shoqata sportive "Sporti na bashkon", ndau çmimet për "Talentin e sezonit", në edicionin e dytë të saj. Shoqata "Sporti na bashkon" ndau gjashtë çmime për futbollistët e rinj e të talentuar nën moshën 21 vjeç: tre çmime të treta, dy çmime të dyta dhe një çmimi të parë, të sponsorizuara këto nga kompania "Sportiva" përfaqësuese ekskluzive në Shqipëri të gjigandit amerikan të produkteve sportive "Nike". Sulmuesi i Vllaznisë, 19-vjeçari Bekim Bala, fitoi trofeun "Talenti i sezonit". Drejtori i Sporteve në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve, Vasil Bici, njëherësh edhe një ish-trajner i shumë skuadrave në Shqipëri, i dorëzoi çmimin e parë si talenti më i mirë i sezonit, sulmuesit të Vllaznisë, Bekim Bala, autor i 17 golavë këtë sezon: 9 në kampionat dhe 8 në Kupën e Shqipërisë. "Ju siguroj se në edicionin e tretë sponsori gjeneral do të jetë Ministria, për ta bërë akoma edhe më të bukur kete veprimtari", tha Bici, ndërsa talenti Bala u shpreh se, "ndihem shumë i lumtur dhe shumë i emocionuar për këtë çmim". Ish-trajneri i kombëtares shqiptare, por dhe trajner kampion me Partizanin e Dinamon, Bejkush Birçe, i dorëzoi çmimin e dytë sulmuesit fierak të Flamurtarit, Odise Roshi. Ndërsa ish-trajneri tjetër i kombëtares dhe Tiranës, por dhe kampion i Ballkanit me Kombëtaren U-21, Shyqyri Rreli, i dorëzoi çmimin tjetër të dytë sulmuesit të Besës, Sokol Cikalleshi. Ndërkohë, tre çmimet e treta u dhanë për mbrojtësin e Tiranës dhe tashmë edhe të kombëtares, Ditmar Bici, portierin e Flamurtarit, Shpëtim Moçka dhe mesfushorin e Gramozit, Migel Metani. Ndërsa çmimin "Fair-Play" të dhënë nga shoqata sportive "Sporti na bashkon", Federata Shqiptare e Futbollit dhe përfaqësuesja shqiptare e "Martini" dhe "Gillete", e fitoi portieri dhe kapiteni i Besës, Orges Shehi. Aktori i njohur Vasjan Lami, një i pasionuar i përhershëm i futbollit, siç e quajti veten ai, moderoi ceremoninë festive. Kryetari i shoqatës dhe një nga themeluesit e saj, Leka Kosta, e cilësoi aktivitetin si një mundësi më shumë për promovimin e talenteve të rinj. "Është një traditë e re që ne si shoqatë dëshirojmë ta vazhdojmë për promovimin e talenteve të rinj të futbollit shqiptar", tha Kosta. Gazetari sportiv, Gëzim Nushi, njëherësh edhe me cilësinë e kryetarit të jurisë, tha se "ishte shumë e vështirë të zgjidhnim më të mirët, pasi konkurrenca ishte e madhe". Gjatë ceremonisë së dhënies së çmimeve, talenti shqiptar i "Free Style", apo xhonglimeve me top, Fabian Duro, i cili mori pjesë edhe në kampionatin botëror të këtij stili në Afrikën e Jugut, ekzekutoi me një top "Nike" disa ushtrime të një vështirësie të lartë. -Çmimet e edicionit të dytë të aktivitetit "Talenti i sezonit" -Çmimi i parë Bekim Bala (Vllaznia) -Çmimi i dytë Sokol Cikalleshi (Besa) Odise Roshi (Flamurtari) -Çmimi i tretë Ditmar Bici (Tirana) Shpëtim Moçka (Flamurtari) Migel Metani (Gramozi) -Çmimi "Fair-play" Orges Shehi (Besa) /a.ke/
KOMENTE