Sport/ Krijohet Federata Ballkanike E Sportit Për Të Gjithë
TIRANË, 20 Maj /ATSH- Gjergji Mima/ .- Në datat 14-19 Maj, në Stamboll të Turqisë, u organizua takimi për rikrijimin e Federatës Ballkanike 'Sporti për të Gjithë', me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga Turqia, Bullgaria, Serbia, Rumania, Mali i Zi dhe Shqipëria.
Në këtë takim Shqipëria u përfaqësua nga znj. Majlinda Pilinci, sekretare e Përgjithshme e Federatës Shqiptare të Sportit për të Gjithë dhe anëtare e Komitetit Ekzekutiv të KOKSH.
Sipas burimeve nga KOKSH, "në këtë takim u miratua Statuti i Federatës Ballkanike 'Sporti për të Gjithë' (BSFAA), pasardhëse e Federatës Ballkanike, themeluar në 17 Nentor të vitit 1995, në Sofje të Bullgarisë, e cila ka funksionuar deri përpara disa vitesh.
Në këtë takim u zhvillua edhe proçesi zgjedhor për Komitetin Ekzekutiv të BSFAA-së, në të cilën u zgjodh president Prof. Dr. Ardal Zorba, presidenti i Federatës Turke 'Sporti për të Gjithë'. Ndërsa përfaqësuesja shqiptare, Majlinda Pilinci u zgjodh një nga zv/presidentet e kësaj organizate./s.s./