English

Sport/ Shoqata 'Miqtë E Bullgarisë" Përkujton Figurën E Loro Boriçit

TIRANË, 20 Maj /ATSH-Gjergji Mima/. - Shoqata "Miqtë e Bullgarisë", me rastin e festës së Arsimit dhe Kulturës Bullgare në 24 maj, organizoi sot në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar aktivitetin kushtuar mikut të Bullgarisë, ish-futbollistit dhe trajnerit shqiptar Loro Boriçit. Miq, bashkëkohës, kolegë, nxënës, të afërm dhe sportdashës treguan kujtimet e tyre nga njohja dhe takimet me Loro Boriçin, duke ngritur lart figurën e këtij gjigandi të futbollit shqiptar. Sipas organizatorëve, festa e arsimit dhe kulturës bullgare është një ditë që festohet që nga viti 1851 dhe Loro Boriçi është një nga figurat që përfaqëson më mirë lidhjen shpirtërore mes Bullgarisë dhe Shqipërisë, për vet kontributin që dha në sportin e këtyre dy vendeve. Anëtarët e shoqatës "Miqtë e Bullgarisë" i bënë një kërkesë Presidentit të Republikës, Bamir Topi, për t'i dhënë Loro Boriçit pas vdekjes titullin "Nderi i Kombit", me motivacionin si futbollist i shquar dhe profesionist shembullor. Mjeshtri i madh i sportit, Sokol Morina, në një prononcim për ATSH-në, u shpreh se "ne që e njohëm dhe e patëm mik Loro Boriçin jemi krenarë jo vetëm se ishte një sportist me përmasa të pallogaritshme, por mbi të gjitha ishte një njeri që shumë rrallë i vjen këtij vendi". Ndërsa prof. Ahmet Osja u shpreh se "Loro Boriçi është një pasuri jo vetëm e sportit, por edhe e kulturës së Shqipërisë". Ndërkohë, mjeku sportiv Dr. Prof. Lluka Heqimi thotë për Loron se "nuk njoh asnjë personalitet tjetër të sportit që të jetë kaq pranë artit e kulturës sesa Loro Boriçi". Miço Papadhopulli, një nga nxënësit e shumtë të Loro Boriçit, tha se "Loro ishte një lojtar i madh, një njeri me botë shpirtërore të pakrahasueshme, një futbollist i shquar jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Itali". Ndërsa Ambasadori bullgar në Tiranë, Theodor Roussinov, në fjalën e tij tha se "ne si bullgarë jemi krenarë që prej Loro Boriçit është krijuar një lidhje e madhe shpirtërore mes Shqipërisë dhe Bullgarisë"./s.s./
KOMENTE