Vlore: Keshilltaret E Pd Kundershtojne Projektvendimin Per Marrjen E Kredise Per Infrastrukturen
VLORE, 20 maj/ATSH-H.Koçi/.- Grupi i këshilltarëve bashkiakë të Partisë Demokratike të Vlorës kundërshtoi sot projektvendimin e paraqitur në mbledhjen e organit vendimmarrës nga administrata e Bashkisë për marrjen e një kredie për projektet në infrastrukturë.
Gjatë mbledhjes së këshillit që përfundoi në orët e vona sot, pasdite, këshilltarët demokratë u shprehën se marrja dhe përdorimi i kredisë për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, shton barrën fiskale mbi taksapaguesit vlonjatë dhe votuan kundër projektvendimit, që u miratua nga këshilltarët socialistë dhe aleatët e tyre, të cilët kanë shumicën në këshillin bashkiak.
Në një konference për shtyp, këshilltarja demokrate Laureta Bejkosala tha se "kryetari i Bashkisë tashmë në ikje, kërkon të lerë Vlorën me një borxh, që vlonjatët do t'a paguajnë gjatë me të ardhmen e tyre".
Në një prononcim për ATSH-në, kryetari i degës së PD-së dhe deputet i Vlorës, Ardian Kollozi, tha se, "kjo kredi që kërkon të marrë Bashkia në shumën 420 milionë lekë, përbën shkelje të hapur të ligjit përkatës, pasi kalon ndjeshëm vlerën e 5 përqindshit të të ardhurave të brendshme".
Sipas tij, kjo është një barrë e rëndë për taksapaguesit vlonjatë dhe do të kundërshtohet me gjithë forcën e ligjit nga ky subjekt politik dhe përfaqësuesit e tij në këshillin bashkiak.
Në projektvendimin përkatës të miratuar me shumicë votash sot në mbledhjen e këshillit bashkiak, përcaktohet se kredia prej 420 milionë lekë do të përdoret për zbatimin e disa projekteve në përmirësimin e infrastrukturës rrugore. /a.ke/