Vlorë: Projekti, Mjedise Të Reja Të Muzeun E Pavarësisë
VLORË, 20 maj /ATSH-H.Koçi/ - Muzeu Kombëtar i Pavarësisë në qytetin e Vlorës, do të rikonceptohet duke shfrytëzuar maksimalisht hapësirën e brendshme dhe duke shtuar mjedise të reja për administratën e këtij objekti me vlera historike dhe arkitekturore.
Drejtori i Muzeut, Agron Shehu, thotë për ATSH-në se, në kuadrin e përgatitjeve për 100 vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, është hartuar një projekt që synon shkëputjen e pjesës së administratës nga ndërtesa e këtij muzeu, gjë që do të krijojë hapësira të reja dhe një simbolikë tjetër për raportet historike me ato aktuale.
"Në mënyrën se si është konceptuar, muzeu nuk i përcjell në dimensionet e duhura brendinë dhe mesazhin e ngjarjeve që mbarten në eksponatet e tij", thotë Shehu.
Sipas tij, duket e panatyrshme që mjediset e brendshme të këtij objekti, ku kanë punuar dhe kryer aktivitetin figura të shquara të historisë së Shqipërisë, të shërbejnë edhe për administratën aktuale. Për këtë arsye, përmes projektit është propozuar në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve, që në territorin e muzeut të ndërtohen mjedise shtesë ku do të funksionojë administrata. Në këtë mënyrë, sipas tij, jo vetëm që do të krijohet një hapësirë tjetër brenda godinës për ridimensionimin e përmbajtjes së saj, por edhe simbolikisht, do të ndahen vlerat historike nga pjesa administrative.
Për këtë, thotë Shehu, pritet së shpejti miratimi i projektit dhe fillimi i punës për konkretizimin e tij. Me përfundimin e punimeve, Muzeu Kombëtar i Pavarësisë do të ketë një profil ndryshe dhe një dimension që përputhet me ngjarjen historike që evokon.
Godina ku është vendosur Muzeu Kombëtar i Shpalljes së Pavarësisë në qytetin e Vlorës është ndërtuar në shekullin XIX. Ajo është një ndërtesë dy katëshe dhe ndodhet në afërsi të portit. Për rreth 6 muaj në vitin 1913, ajo shërbeu si rezidencë për qeverinë e parë shqiptare të drejtuar nga Ismail Qemali. Godina ka 8 dhoma dhe është pajisur me mobilje të shekullit kur është ndërtuar. Në mjediset brenda saj, veçohen zyra e Kryetarit të Qeverisë, Ismail Qemalit, salla e mbledhjeve të kësaj qeverie etj.
Në 28 Nëntor të vitit 1913, aty u përkujtua përvjetori i parë i shpalljes së pavarësisë. Për vlerat e saj, arkitektonike e historike, ndërtesa është shpallur monument kulture. Katër vjet më parë, Muzeu i Shpalljes së Pavarësisë, u shpall objekt muzeal kombëtar në varësi të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve./ch/