English

Zgjedhjet lokale në Ulqin, kandidojnë shtatë shqiptarë

Ulqin, 20 maj, NOA – Të dielën e 23 majit, në 14 komunat e Malit e Zi mbahen zgjedhjet lokale, ku në historinë 20-vjeçare të pluralizmit në këtë vend, asnjëherë nuk ka pasur më shumë shqiptarë në lista që garojnë brenda tyre, në Ulqin e Malësi.

Fushatën elektorale e ka karakterizuar një retorikë e ashpër, në Ulqin edhe në Tuz të Malësisë, midis partive nacionale shqiptare dhe koalicionit të Unionit Demokratik të Shqiptarëve të Ferhat Dinoshës dhe Partisë Demokratike të Socialistëve të Millo Gjukanoviqit.

Derisa koalicioni qeveritar akuzon “Për Ulqinin evropian”, subjektet politike shqiptare se “nuk janë të aftë për të udhëhequr komunën Urbane të Tuzit, kurse në komunën e Ulqinit kanë lënë pasoja të mëdha ekonomike, juridike dhe kadrovike”.

Ndërkaq, partitë shqiptare Lidhja Demokratike, Forca e Re Demokratike, Alternativa shqiptare, Iniciativa qytetare akuzojnë Unionin Demokratik të Shqiptarëve se ka shkretuar ekonominë e Ulqinit duke privatizuar ndërmarrjet turistike që Lidhja Demokratike e Mehmet Bardhit e quan” kolonizim të Ulqinit”.

Ndërkaq, premtimin e Ferhat Dinoshës se nëse vjen në pushtet Unioni Demokratik i Shqiptarëve, Partia Demokratike e Socialistëve dhe Partia boshnjake, do të organizojmë referendum mbi komunën e plotë të Tuzit,partitë nacionale shqiptare e shohin si “tentim për të asimiluar Malësinë e banuar me shumicë absolute shqiptare”.

Në Ulqin konkretisht do të garojnë 9 lista, shtatë shqiptare dhe 2 të ashtuquajtura qytetare. Beteja kryesore për shumicën e ardhshme në Parlamentin vendor të Ulqinit do të zhvillohet në Anë të Malit, dikur bërthamë e partive nacionale shqiptare, por “tash pas hyrjes së Unionit Demokratik të Shqiptarëve në koalicion me socialistët e kryeministrit malazias, Millo Gjukanoviq, edhe këtu ka ndryshuar skena politike”.

Dy lista kandiduese janë pretendentet kryesore, Forca e Re Demokratike dhe rivali i saj koalicioni “Për Ulqin evropian”.

i.b/NOA

KOMENTE