English

Artan Hoxha: Pozitiv Hapat E Qeverisë Në Stimulimin E Ekonomisë

TIRANE 21 Maj/ATSH-A.Gjonaj/- Analisti i njohur Artan Hoxha në një intervistë për ATSH-në, vlerësoi pozitiv hapat e qeverisë shqiptare për shitjen e Hotel Dajtit, por edhe nxjerrjen e eurobondit ne tregun financiar nderkombëtar. 1.Pyetje Si e vleresoni shitjen e Hotel Dajtit? Pergjigje: Banka e Shqiperise kishte nevoje për mjedise shtesë zyrash, qeveria kishte nevojë për para, ndaj transaksioni i shitjes së ish Hotel Dajtit kënaq nevojat e dy palëve ,që në këtë rast janë edhe institucione publike dhe godinë apo për më tepër paratë do t'i përdorin për qëllime publike. Me këtë transaksion besoj se do të rikonstruktohet edhe kjo godinë historike e Tiranës, që ka mbetur deri tani një gërmadhë në mes të Kryeqytetit. 2. Pyetje Si e vleresoni procesin e eurobondit te qeverise shqiptare. Cili eshte parashikimi juaj per eurobondin? Pergjigje: Daljes në tregun ndërkombëtar të kapitaleve me eurobond i kishte ardhur koha. Nëse do të jetë një operacion i suksesshëm atëhere ai do të prodhojë efekte pozitive për interesin publik. Në periudhë afatshkurtër do të mundësohet zëvendësimi i një kredie të shtrenjtë të marrë para një viti me një kredi më të lirë. Pra ulet kosto e borxhit publik. Kjo ka shumë gjasa të ndodhë pasi para një viti tregu ndërkombëtar i kapitaleve ishte në shtrëngesën maksimale për likuiditete, pra edhe kredia e marrë s'kish si të mos ishte e shtrenjtë. Sot jemi në një situatë më të mirë se para një viti, ndaj edhe pritet se interesi do të jetë mjaft më i ulët. Në fakt me ligj të Kuvendit është vendosur një kufi maksimal të interesit të eurobondit prej 7.3% ,që do të thithë rreth 4 pikë përqindjeje më e ulët se kredia e një viti më parë. Efekt anësor i shitjes me sukses të eurobondit do të jetë që për të njëjtën shumë të marrë në tregun ndërkombëtar, psh. nëse do jetë 400 milionë euro, e njëjta shumë do të mbetet disponibël për tregun shqiptar të kredive, pra, në rrethana të tjera të barabarta rriten mundësitë për marrje kredie nga bankat vendase për bizneset dhe individët. Natyrisht shitja e suksesshme e eurobond, do sigurojë një shumë të nevojshme për buxhetin e shtetit, pra do të mbajë më lart shpenzimet dhe investimet publike krahasuar me skenarin e mos marrjes së këtij borxhi. Në periudhë më afatgjatë, efektet e shitjes së kësaj radhe do të jetë në drejtim të krijimit të profilit të Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare të kapitaleve. Ka gjithnjë një herë të parë. Në vitet e ardhshme ky do të jetë një proces normal. Kur del për herë të parë në këto tregje gjithnjë rrethohesh nga një farë perceptimi dyshimi për shkak të mosnjohjes dhe mungesës së eksperiencave të mëparshme të operatorëve me kapacitete dhe besueshmërinë e një kredimarrësi të ri, siç është rasti i Shqipërisë. Ndaj vlerësoj se dalja në treg nëpërmjet analizës, prezantimit dhe ndërmjetësimit nga dy nga Agjentët më me zë e më serioze në tregun e kapitaleve, është veprimi i duhur që kontribuon në uljen e indeksit të mosbesimit që shoqëron gjithnjë një kredimarrës që hyn për herë të parë në një treg të tillë. 3. Pyetje Si mendoni se do te ndikoje forcimi i lekut ndaj euros te çmimet e konsumit dhe konsumatori? Pergjigje: Efektet si gjithnjë janë kontradiktore. Në një periudhë afatshkurtër, mallrat të cilat importohen në Euro do të kenë një çmim në lekë më të ulët ose çmimet e tyre në lekë do të rriten më pak se çdo të ishin rritur pa këtë zhvleftësim të euros, ndaj për konsumatorët të ardhurat e të cilëve do të jenë në lekë kjo do të përbëjë një avantazh të përkohëshëm. Për konsumatorët të ardhurat e të cilëve do të jenë në euro kjo do të përbëjë një dizavantazh. Në periudhën e mëparshme të fuqizimit të euros ndodhi e kundërta. Pak a shumë si ajo shprehja popullore "qari dhe qederi shkojnë bashkë". Këto efekte mund të perforcohen në të njëjtin drejtim apo të neutralizohen në drejtimin e kundër në varësi të vetë ecurisë ulje-ngritje të inflacionit që do të ketë Euro në tregjet europiane. Në periudhë më afatgjatë këto asimetri avantazhesh/dizavantazhes mes kategorive të konsumatorëve tentojne të zerohen./a.gj/
KOMENTE