Ballkan - Rumania, Bullgaria Dhe Greqia Për Një Integrim Evropian
BUKURESHT, 21 maj /ATSH-AFP/ - Rumania, Bullgaria dhe Greqia miratuan sot në Bukuresht një deklaratë të përbashkët në mbështetje të integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, 10 ditë përpara një samiti BE-Ballkan, njoftoi shefi i diplomacisë rumune Teodor Baconschi.
"Miratuam një deklaratë të përbashkët që thekson angazhimin tonë në favor të perspektivës evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor", deklaroi Baconschi në përfundim të një mbledhjeje me homologun bullgar Nikolai Mlladenov dhe me zëvendësministrin e Jashtëm grek Dimitris Drucas.
Sipas tij, tre ministrat i dërguan gjithashtu për këtë qëllim një letër shefes së diplomacisë së Bashkimit Evropian, Catherine Ashton dhe komisionerit për Zgjerimin Stefan Fule.
"Kërkojmë t'i japim një shtysë të re debatit për zgjerimin e BE-së drejt Ballkanit", deklaroi Mlladenov.
Por, ai theksoi se suksesi i këtij procesi do të varet nga "reforma të brendshme" të vendeve në fjalë "për të bërë përparime në axhendën evropiane, bashkëpunimin rajonal dhe lidhjet dypalëshe.
Drucas shprehu besimin se samiti që do të zhvillohet më 2 qershor në Sarajevë "do të japë një mesazh të fortë për rajonin".
"Mendojmë se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor duhet të jetë në BE, sepse kemi të njëjtën histori dhe të njëjtat parime", theksoi ai.
Serbia, që fillimisht e kundërshtonte pjesëmarrjen në këtë mbledhje dhe që ndryshe nga Rumania, Bullgaria dhe Greqia nuk është anëtare e Bashkimit Evropian, konfirmoi se do të jetë e pranishme, pasi ka rënë dakord për modalitetet që do të bëjnë të mundur praninë në të njëjtën tavolinë të përfaqësuesve të Kosovës.
Mes vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor që nuk janë anëtarësuar në BE janë Mali i Zi, Bosnje-Hercegovina, Maqedonia, Shqipëria dhe Kroacia.
/I.Pu.