“Darka te “Krokodili”, ishte mund të them, një nga darkat më të shijshme”
Tiranë, 21 Maj 2010 NOA/I plotë - “Patëm një darkë, në restorant “Krokodil” të Strasburgut. Është një nga darkat më të shijshme. Unë jam një person që e dua shumë Strasburgun sepse është dhe një qytet me histori frymëzuese. Nga ana tjetër, darka sigurisht nuk ishte një darkë ahengu, por ishte një darkë pune. Kështu deklaroi sonte kryeministri shqiptar Sali Berisha i sapombërritur në aeroportin e Rinasit pas vizitës në Strasburg, duke bërë këto komente për mediat e pranishme.
Kryeministri siguroi se në bisedimet me Edi Ramën dhe diplomatët evropianë, nuk ishte folur për tema që të mund të dëmtojnë kornizat ligjore:
“Mund tu them se tek të pranishmit spikati qartësisht vendosmëria për respektimin e plotë të kushtetutës, kuadrit ligjor, vendimeve të gjykatave në zgjidhjen e këtij problem. Pra ishte një sintoni dhe me qëndrimet e mëparshme si të komitetit presidencial dhe të byrosë parlamentare të këshillit të Evropës, ashtu dhe deklaratat e përsëritura të Brukselit. Ndaj dhe unë dua tu përshëndes që keni dalë në aeroport për të marrë përshtypjen enjë darke të këndshme”, - vijoi z.Berisha.
Kurse pyetjes lidhur me kryetarin e Partisë Socialiste, zotit Edi Rama, kryeministri Berisha iu përgjigj:
“Gjithçka lidhet me personin e tij, ju lutem priteni kur të kthehet dhe pyeteni atë. E tëra çka mund tu them për të është se, dëgjova një zë, që se nga erdhi, as vetë nuk e mora vesh që ju tha, këtë darkë të takon ta paguash ti”.
r.n/NOA