Berisha: Maxhoranca Dhe Opozita, Periudhë Reflektimi Për Të Diskutuar Opsionet E Zgjidhjes Së Situatës Politike
TIRANË, 21 Maj/ATSH-Maela Marini/.- Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot në mëngjes, pas takimit me kryesocialistin Edi Rama në Strasburg, se "është lënë një periudhë reflektimi për të dyja palët (maxhorancë-opozitë) për të diskutuar opsionet e zgjidhjes së krizës politike".
Kryeministri Berisha, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama dhe zyrtarë të lartë të BE-së u mblodhën dje në mbrëmje në një darkë informale në një nga restorantet në Strasburg për të diskutuar mbi gjetjen e një zgjidhje për tejkalimin e situatës politike në Shqipëri.
Në një prononcim për mediat në orët e para të mëngjesit të sotëm, Kryeministri Berisha deklaroi se "ky ishte një takim i frytshëm, pasi çdo takim me miqtë tanë ndërkombëtarë është pozitiv".
"Për mua është gjithnjë një kënaqësi të takoj edhe kundërshtarët politikë. Ne këmbyem gjerësisht mendime mbi rrugët dhe mundësitë e zgjidhjes së situatës, ndërkohë që do të ketë edhe një takim tjetër në një kohë të afërt. Zgjidhja do të dalë nga këto takime", tha Kryeministri Berisha.
Ai informoi se në darkën informale me kryetarin e PS-së, Edi Rama dhe zyrtarët më të lartë të BE-së është bërë një diskutim shumë i gjerë për të gjitha problemet./n.m/