English

Berisha, si po i lartëson kundërshtarët

Bashkimi Evropian ka dështuar në mision e tij për të bindur kryeministrin Sali Berisha të pranojë hetimin e zgjedhjeve në Shqipëri. Megjithë presionin e fortë ndërkombëtar dhe përfshirjen në negociatave dhe të aleatëve të Partisë Demokratike në Bashkimin Evropian, kryeministri Berisha ka qëndruar i palëkundur në vendimin e tij për të mos u hapur kutitë e fletëve të votimit, duke bërë interpretime personale për kuadrin ligjor. Kjo ka detyruar udhëheqësit evropianë të shtyjnë për dy ose tri javë negociatat, përtej datës 2 qershor kur në Samitin e Sarajevës mund t’i hapet drita jeshile Shqipërisë për liberalizmin e vizave

Nga Mero Baze*

Bashkimi Evropian do të duhet të harxhojë ende energji dhe kohë për të bindur kryeministrin e vendit Sali Berisha të pranojë procesin e transparencës së zgjedhjeve në Shqipëri dhe të ndërtojë një kuadër ligjor që në të ardhmen çdo hetim për transparencën e zgjedhjeve të jetë e drejtë e ligjshme për opozitën.

Takimi i Strasburgut, nga i cili shpresohej një rezultat i shpejtë, nuk arriti të bindë palët për kuadrin e marrëveshjes, që edhe më parë ishte propozuar nga ndërkombëtarët. Thelbi i kundërshtisë ka të bëjë me vendosmërinë e Sali Berishës për të mos lejuar prekjen e fletëve të votimit.

Në arsyetimet e tij, ai bazohet tek interpretimi personal që i bën Kushtetutës sa i përket hetimit të fletëve të votimit dhe në interpretimin personal që i bën Kodit Zgjedhor kur i referohet hetimit të materialeve zgjedhore. Dy janë tezat kontradiktore të Sali Berishës.

Së pari, që Kushtetuta nuk lejon hetimin e zgjedhjeve dhe së dyti, nëse hetohen materialet zgjedhore, të cilat janë dokumente arkivi, duhet të digjen fletët e votimit.

Kjo është njësoj sikur të lejosh një hetim për një vrasje me kusht që më parë të lejosh autorin e vrasjes të djegë provat e krimit.

Me këto nonsense ligjore dhe politike, ai ka mbajtur dje të bllokuara në Strasburg bisedimet për procesin e transparencës së zgjedhjeve në Shqipëri.

Nuk dua të flas tanimë për pasojat që ka qëndrimi i Berishës për vendin. Shpresoj që liberalizmi i vizave të mos mbahet peng nga ky vendim i tij. Shpresoj po ashtu që dhe problemet me integrimin e vendit të tejkalohen. Por është një gjë që nuk ka për t’u tejkaluar kurrë dhe që Berisha po ia lë njollë të djathtës shqiptare.

Është e pafalshme që ajo forcë politike, e cila ka ndryshuar historinë e Shqipërisë, 20 vite më pas t’i japë opozitës së majtë, që ka trashëgiminë politike të Partisë së Punës, lavdinë e betejës për zgjedhje të lira në vend. Nëse ka një njeri që ka ndihmuar dhe po ndihmon ish-komunistët shqiptarë të rehabilitohen tërësisht në sytë e botës dhe shqiptarëve, ai është Sali Berisha, pasi ai ka pastruar përfundimisht dhe i ka dhënë vlerat e një force politike perëndimore një force politike, e cila ka problem me historinë e saj.

Sali Berisha, i cili kërkon të luftojë kundërshtarët e vet me histori komunistësh dhe sekretarësh partie, në të vërtetë i ka kthyer ata në tribunë të votës së lirë në Shqipëri, duke i bërë kështu një atentat të rëndë forcës së tij politike ose së paku trashëgimisë politike të saj.

Për 12 vite rresht që nga viti 1996, Sali Berisha po kthen në luftëtarë të votës së lirë në këtë vend ish-komunistët, duke njollosur padrejtësisht të djathtën shqiptare si hajdute votash në këtë vend. Dhe kur mendon se gjithë këtë rivlerësim për të majtën dhe baltë për të djathtën e bën vetëm për interesa të veta dhe familjes së tij, që ka zaptuar ndërkohë Shqipërinë, bilanci ngjan dhe më i hidhur.

Ne sot nuk kemi ende një bilanc nga beteja e opozitës për zgjedhje të lira dhe garantimin e transparencës së tyre, por kemi përpara të gjithë një pengesë që e tregojmë me gisht dhe ai është Sali Berisha, fatkeqësisht lideri i asaj force politike që solli pluralizmin dhe lirinë e zgjedhjeve në vend. 20 vite më pas, e djathta shqiptare po njollos historinë e saj dhe po lartëson biografinë e kundërshtarëve, me një betejë të shpikur vetëm për interesin personale dhe familjar të Sali Berishës, i cili në emër të frikës nga gjykimi i të birit prej drejtësisë shqiptare, në emër të panikut nga humbja e bizneseve të vajzës dhe në emër të ruajtjes me çdo kusht të pushtetit të personal, po njollos të djathtën shqiptare dhe po bën lidershipin e opozitës së majtë kalorëse të zgjedhjeve të lira dhe transparencës së tyre në Shqipëri.

E ritheksoj, që Shqipëria mund t’ia dalë dhe të mos penalizohet nga ky akt i Sali Berishës, por e djathta dhe njerëzit që janë burgosur për lirinë e fjalës dhe votës në këtë vend, janë njollosur ndërkohë në emër të pushtetit personal dhe familjar të Sali Berishës.

(*) Dërguar nga autori, pikëpamjet e shprehura janë qëndrime personale

KOMENTE