English

Bërthamore - Turqia I Kërkon Obamës Të Mos Kundërshtojë Marrëveshjen Turqi-Iran-Brazil

ANKARA, 21 maj /ATSH-AFP/ - Kryeministri turk Recep Tayyip Erdogan i bëri thirrje Barack Obamës të mos kundërshtojë marrëveshjen e arritur me Iranin dhe Brazilin dhe t'i japë një shans diplomacisë në këtë çështje, njoftoi sot shërbimi i tij i shtypit. Në një letër drejtuar presidentit amerikan, Erdogan pranon se marrëveshja nuk e zgjidh çështjen e programit bërthamor iranian, "por përbën një rast të rëndësishëm për zgjidhjen e problemit me mjete diplomatike", thuhet në komunikatën e shkurtër. Irani pranoi të hënën, pasi ra dakord me Ankaranë dhe Brazilin, të shkëmbejë jashtë vendit një pjesë të uraniumit të tij pak të pasuruar me lëndë djegëse për reaktorin e tij bërthamor kërkimor, por perëndimorët shprehën mosbesimin, pasi Uashingtoni vazhdon të jetë i vendosur në ndëshkimin e Teheranit. Këshilli i Sigurimit shqyrtoi të martën një projekt të ri sanksionesh ndëshkuese ndaj Iranit për programin e tij bërthamor. Një ditë më pas, Brazili dhe Turqia, që të dy anëtarë jo të përhershëm të ekzekutivit të OKB-së, i shkruan Këshillit të Sigurimit për t'u kërkuar anëtarëve të tij të mos miratojnë sanksione të reja. Por, projekti i sanksioneve është kompetencë e pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit, të cilat kanë të drejtën e vetos dhe që janë Shtetet e Bashkuara, Rusia, Kina, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar. Disa vende perëndimore e akuzojnë Teheranin se po përpiqet të pajiset me armën bërthamore nën pretekstin e aktiviteteve civile, gjë që Republika islamike e përgënjeshtron. /I.Pu.
KOMENTE