Tiranë, 21 maj, NOA - Në festën e maturantëve, kryeparlamentarja Jozefina Topalli hapi dyert e Kuvendit duke pritur në një takim të posaçëm gjimnazistët e Tiranës, për t’u uruar atyre suksese në jetën dhe shkollimin e tyre të mëtejshëm.
Evenimenti konfirmohet për agjencinë e Lajmeve NOA nga burimet zyrtare të Kuvendit, sipas të cilave, duke bashkëbiseduar me kryetaren, maturantët folën për ëndrrat dhe dëshirat e tyre, për të vazhduar universitetin në shkenca politike, juridik, ekonomi e shkenca.
Organizimi i kësaj feste të maturantëve ndryshoi pamjen dhe atmosferën e Bulevardit dhe të gjithë qytetit të Tiranës, duke e mbushur me gëzim e optimizëm atë gjatë paradites së sotme.
“Ju jeni e ardhmja e Shqipërisë Europiane. Ne duam që ju të lëvizni pa viza”, u është drejtuar Topalli maturantëve.
Të rinjtë maturantë të Shqipërisë festuan sot njëkohësisht me të gjithë bashkëmoshatarët e tyre në të gjithë Europën në ato që janë cilësuar si “Ditët e Europës”.
a.y/NOA