Dita E Maturantëve/Topalli Hap Dyert E Kuvendit Për Gjimnazistët E Tiranës
TIRANË, 21 Maj/ATSH/.- Maturantët e Tiranës festuan sot përgjatë bulevardit "Dëshmorët e Kombit" përfundimin e Maturës 2010. Të rinjtë kryeqytetas, festuan në të njëjtën ditë, në të njëjtën orë me bashkëmoshatarët e tyrë në Europë.
Me festën e maturantëve u bashkua dhe kryeparlamentarja Jozefina Topalli, e cila hapi dyert e Kuvendit dhe priti gjimnazistët e Tiranës për t'u uruar suksese në jetën dhe shkollimin e tyre të mëtejshëm.
Duke bashkëbiseduar me Kryetaren e Kuvendit, maturantët folën për ëndrrat dhe dëshirat për të vazhduar universitetin në shkencat politike, juridik, ekonomi e shkenca.
"Ju jeni e ardhmja e Shqipërisë europiane. Ne duam që ju të lëvizni pa viza", iu drejtua të rinjve kryeparlamentarja Topalli.
Organizimi i kësaj feste të maturantëve ndryshoi pamjen dhe atmosferën e bulevardit "Dëshmorët e Kombit" dhe të gjithë qytetit të Tiranës, duke e mbushur me gëzim e optimizëm. /gj.m/