Durres: Mot I Paqendrueshem, Kushte Te Mira Detare
DURRES, 21 maj /ATSH-Gëzim Kabashi/. - Moti i paqëndrueshëm do të shoqërojë edhe sot kohën në rajonin detar të Durrësit, bënë të ditur për ATSH-në burime zyrtare nga kapiteneria e portit më të madh të vendit.
Sipas të njejtave burime, kushtet detare që prej disa ditësh janë normalizuar plotësisht dhe dy tragete me udhëtarë dhe kamionë kanë mbërritur nga porti i Barit (Itali) në Durrës që në orët e para të mëngjesit.
Procesi i ngarkim-shkarkimit të anijeve tregtare me mallra në kalatat e portit ka nisur pa probleme dhe mund të ndërpritet vetëm për shkak të reshjeve lokale të përkohshme që pritet të bien gjatë ditës.
Amplitudat e temperaturave të ajrit këto ditë kanë shënuar ndryshime të mëdha jo vetëm nga dita në ditë, por edhe brenda 24 orëve, duke dëshmuar paqëndrueshmërinë e kushteve të motit edhe në 10-ditorin e fundit të muajit maj. Valëzimi brenda gjiut detar është mjaft i lehtë duke mundësuar daljen masive për gjueti të motopeshkatoreve, përfunduan burimet e kapitenerisë së portit. /a.ke/