Ekonomi - Deficiti I Lartë - Van Rompuy: Konsensus Në Be Për Sanksione
BRUKSEL, 21 maj /ATSH-AFP/ - Presidenti i BE-së Herman Van Rompuy theksoi sot se gjatë mbledhjes së ministrave të Financave të Bashkimit Evropian është arritur konsensus për zbatimin e sanksioneve ndaj vendeve që nuk do të respektojnë në të ardhmen Paktin e stabilitetit.
"Kemi vendosur për sanksione. Një nga konkluzionet është se u duk shumë qartë se ekziston një konsensus i gjerë për sanksione financiare dhe jo financiare", deklaroi Van Rompuy në përfundim të mbledhjes që u zhvillua me kërkesën e tij në Bruksel.
"Duhet të arrijmë në një disiplinë më të madhe buxhetore, kemi nevojë të forcojmë Paktin e Stabilitetit dhe ta bëjmë më të efektshëm, të gjithë janë dakord", këmbënguli Van Rompuy.
Ministrat e Financave të BE-së janë mbledhur në Bruksel për të reflektuar lidhur me mënyrat për forcimin e disiplinës buxhetore, nën presionin e Gjermanisë që kërkon vendosjen e sanksioneve të reja të polemizuara dhe falimentimin e vendeve me borxhe shumë të mëdha.
Bëhet fjalë për mbledhjen e parë të një grupi pune i ngarkuar me shqyrtimin e të gjitha sanksioneve që do të bëjnë të mundur ashpërsimin e mbikëqyrjes buxhetore të shteteve të BE-së. Mendohet që konkluzionet do të jepen në tetor. Do të ketë zhvillohen dy mbledhje të tjera të këtij grupi pune brenda verës, bëri të ditur Van Rompuy.
/I.Pu.