English

Ekonomi - Kinë - Euroja Do T'I Kapërcejë Vështirësitë

BRUKSEL, 21 maj /ATSH-AFP/ - Qeveria kineze është e bindur se euroja është e aftë t'i kapërcejë vështirësitë dhe Kina do të luajë rolin e saj për këtë në FMN për ta ndihmuar zonën euro, u shpreh sot në Bruksel ministri kinez i Tregtisë Chen Deming. "Kina beson në një euro të qëndrueshme dhe të fortë", u shpreh Chen në përfundim të një takimi me komisionerin evropian të ngarkuar me Tregtinë, Karel De Gucht. "Pala kineze po ndjek nga afër evolucionin e krizës së borxhit të Bashkimit Evropian dhe shpreson dhe beson se përpjekjet e bëra nga BE-ja dhe FMN-ja do t'i japin fund krizës sa më shpejt që të jetë e mundur", shtoi ai. Chen theksoi se Pekini është më tepër se thjesht një vëzhgues i rastit, si anëtar i Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe partner tregtar kryesor për Evropën. "Kina është një anëtar i FMN-së dhe, si pasojë, ajo do të mbajë përgjegjësinë e saj lidhur me planin e shpëtimit të zonës euro", deklaroi ai. Ministri kinez bëri të ditur gjithashtu se Pekini parashikon të vazhdojë ritmin e reformave të tij monetare. "Qeveria kineze do të vazhdojë të vërë në zbatim një politikë fiskale voluntariste dhe një politikë monetare elastike të moderuar", bëri të ditur ai. Partnerët e mëdhenj tregtarë të Pekinit po përpiqen për një vlerë këmbimi të juanit më tepër të lidhur me realitetet ekonomike të Kinës, tashmë ekonomia e tretë më e madhe në botë. Ata e akuzojnë atë se e mban juanin të zhvlerësuar për të favorizuar eksportet, shtyllë e ekonomisë së saj. /I.Pu.
KOMENTE