English

Elbasan: Banka Botërore, Interes Për Investime Në Ujësjellësa, Dhe Kanale Vaditëse

ELBASAN, 21 Maj /ATSH-Miranda Sadiku/ - Banka Botërore ka shprehur interes për të realizuar një sërë investimesh në kanalet ujitëse, kulluese si edhe ujësjellësa në rrethin e Elbasanit. Prefekti i Qarkut të Elbasanit, Shefqet Deliallisi, tha për ATSH-në se përfaqesues të Bankës Botërore, në një takim të zhvilluar sot në Elbasan, u interesuan për investimet në drejtim të shfrytëzimit të ujrave për vënien në përdorim të kanaleve vaditëse për bujqësinë, si dhe ndërtimin e depove për furnizimin me ujë të fshatrave të rrethit të Elbasanit. Drejtori i Bordit të Kullimit, Kushtrim Aliaj, pjesëmarrës në këtë takim, tha për ATSH se "ne si drejtori, në bashkëpunim me Prefekturën e Qarkut të Elbasanit dhe me drejtorinë e Bujqësisë, kemi hartuar disa projekte në drejtim të investimeve, kryesisht në ujësjellësa, kanale vaditëse e kullimi, si dhe rehabilitimit të digave, të cilat shpresojmë se do të gjejnë mbështetjen e Bankës Botërore". Në ditët në vijim, përfaqësues të Bankës Botërore do të dalin në terren për të parë më nga afër këto plan-projekte dhe për të vendosur më pas, me miratimin edhe të Ministrisë së Bujqësisë, se ku do të kryhen investimet./ch/
KOMENTE