English

Hapen “Plagët e Vjetra”, identifikohen 2 autorët e një vrasje të 2008-ës

Librazhd, 21 maj, NOA – “Plagët e Vjetra”, ka qenë kodi sinjifikues i operacionit të policisë, në kuadrin e të cilit u identifikuan dy persona që kishin kryer një vrasje para dy vitesh.

E duket se policia ka dashur që me arrestimin e tyre, t’i lehtësojë disi këto plagë që hapi ngjarja e shkaktuar në datën 22 prill 2008, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Përrenjasit”, në hyrje të Librazhdit, ku mbeti i vrarë si pasojë e një sulmi Ramazan Murrashi.

Lajmi konfirmohet prej burimeve policore të Elbasanit për agjencinë e Lajmeve NOA, të cilat bëjnë me dije edhe emrat e dy të identifikuarve, të cilët sipas tyre, janë 34-vjeçari Nevit Dashballa, banues në qytetin e Librazhdit dhe 39-vjeçari Besim Duka, banues në fshatin Dardhë të këtij rrethi.

Pas nxjerrjes së urdhrave të shpalljes në kërkim të dy autorëve, është bërë e mundur kapja e njërit prej tyre, konkretisht e Nevit Dashballas, si dhe po punohet për kapjen e autorit tjetër.

n.e/NOA

KOMENTE