English

"Koleksioni I Përhershëm", Së Shpejti Në Skenën E Teatrit Kombëtar

TIRANË, 21 Maj/ ATSH- Suada Daci/- Drama "Koleksioni i përhershëm", me autor Thomas Gibbons e përkthyer në shqip nga Pirro Dollani do të vijë për publikun shqiptar në javën e parë të qershorit në Teatrin Kombëtar. Regjinë e ka marrë përsipër regjisori amerikan, Clarense Gilyard dhe aktori Mirush Kabashi. Në rolet kryesore interpretojnë aktorë të njohur të skenës, si Mirush Kabashi, Fatos Sela, Tinka Kurti, Ema Andrea, Esmeralda Metka dhe vet regjisori Gilyard. Skenografia është realizuar nga Bashkim Zahaj, kostumografia nga Edlira Qyshka dhe e gjithë shfaqja mbështetet nga Ambasada Amerikane në Shqipëri. "Është një eksperiencë e re në skenën e Teatrit Kombëtar", tha sot gjatë një konference për shtyp, Drejtori i TK, Kristaq Skrami. Sipas tij, "kjo eksperiencë e re sjell një ndërthurje ndërmjet gjuhës shqipe dhe asaj angleze, pasi vetë regjisori Gilyard do të jetë dhe një nga personazhet e kësaj drame". I njohur për rolet e shumta në Hollivud, regjisori Clarense Gilyard, pedagog në universitetin e Nevadës në Las Vegas, tha se, "kur e vendosa këtë në premierë në SHBA, kuptova që mesazhi i veprës nuk njeh kufinjë gjeografik". " Kjo është një pjesë me tematikë politike dhe artistike që do të sjellë kënaqësi për publikun", tha ai, duke shtuar se, ndihet i nderuar që "punoj me një kastë të tillë aktorësh, dhe se ndihem përgjegjës për të sjellë një pjesë teatrale dinjitoze për publikun shqiptar". Ndërsa bashkëregjisori dhe aktori i skenës shqiptare Mirush Kabashi vlerësoi se, "kjo është një pjesë e bukur me mesazhe tronditëse aktuale për situatat momentale që po kalon politika e vendit dhe absurditetet e politikës së vendit tonë do të trajtohen në këtë shfaqje". Drama e Thomas Gibbonsit 'Koleksioni i Përhershëm' ka si objekt artin, pasi është forca dhe roli që arti luan në zhvillimin e një shoqërie të shëndoshë. Gjatë 2 orëve të kësaj premiere do të trajtohen çështje dhe probleme që lidhen me shoqërine, pushtetin, vlerat, integritetin dhe frikën. Në skenë jepen imazhe të veprimeve në muzetë të vizituara nga qindra njerëz nga të gjithë sferat e jetës, që shprehin opinione të menjëhershme e të ndryshme ose te panjohura për ta ose për njerëzit e tjerë në kohëra të ndryshme./n.m/
KOMENTE