English

Kosovë -Rasmussen: Reduktimi I Trupave Të Kfor-It, Sipas Vlerësimit Të Situatës

PRISHTINË, 21 Maj /ATSH-B.Jashari/.- Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, paralajmëroi sot në Prishtinë mundësinë e zvogëlimit të trupave të KFOR-it, në varësi nga vlerësimet politike e ushtarake për situatën e sigurisë në Kosovë. "Në janar kemi realizuar hapin e parë, duke zvogëluar numrin e ushtarëve në 10 mijë. Hapi i dytë do të jetë shkurtimi në 5 mijë e 700 trupa, ndërsa hapi i tretë parasheh reduktimin deri në 2 mijë ushtarë", tha z. Rasmussen, duke sqaruar se "ende nuk kemi vendosur që të kalojmë në hapat dy dhe tre". Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s siguroi qytetarët e Kosovës se "asnjë hap nuk do të ndërmerret para se të sigurohemi se situata e sigurisë lejon një gjë të tillë". "Vendimi mund të merret pas analizave politike dhe ushtarake që ne i bëjmë për situatën e sigurisë në Kosovë", deklaroi Rasmussen, i cituar nga mediat në Prishtinë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, në krye të një delegacioni të Këshillit të Atlantikut të Veriut, mbërriti sot në Kosovë. Ata u informuan fillimisht nga komandanti i KFOR-it, Gjeneral Lejtnant Markus Bentler, me gjendjen e sigurisë në Kosovë. Delegacioni u prit në takim edhe nga Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu. /s.s./
KOMENTE