English

Kriminaliteti, policët dhe ushtarakët kryesojnë listën në Maqedoni

Shkup, 21 maj, NOA - Arrestimi spektakolar i kapitenit të ARM-së dhe djalit të drejtorit të Akademisë Ushtarake, Goce Smilevski lidhur me grabitjen e bankave, por edhe arrestimi i pjesëtarit të policisë disa javë më parë i përfshirë në kontrabandë dhe prostitucion ka nxjerrë në sipërfaqe krimin e organizuar që mban uniformën e institucioneve.

Shqetësimi ka shokuar edhe qytetarët, të cilët po humbin besimin tek uniformat dhe institucionet e sigurisë. Dukuria e tillë ka rritur shqetësimet edhe brenda institucioneve, të cilat kanë ndërmarrë masa për punonjësit e tyre.

Në qeverinë e Maqedonisë theksojnë se këto janë raste të rralla, dhe individuale, ku skajshmërisht keqpërdoret detyra zyrtare. Eksperti i çështjeve shoqërore, prof.dr. Lulzim Murtezani vlerëson se dukuritë e tilla kur devijojnë njerëzit me uniforma nga normat e tyre profesionale kryesisht kanë të bëjnë në situatat e krizës politike, ekonomike, kulturore dhe rrethana të kaosit.

“Në këto situata, gjasat janë të mëdha që roli i individit të mos përputhet me detyrimet profesionale, me profesionin që e ushtron. Këto momente rezultojnë në sjellje destruktive, si vrasje, sulme, plaçkitje që janë në kundërshtim me profesionin që ushtron njeriu i uniformuar, sepse nën maskën e uniformës njerëzit kanë privilegj dhe mundet të fshehin shumë energji negative , antishoqërore gjë që u mundëson më me komoditet të realizojnë planë destruktive”, ka theksuar Murtezani.

Prof.dr. Osman Kadriu, ekspert juridik theksoi se në këto situate konstatohet gjendja se në shtet mungon përgjegjësia dhe funksionimi i institucioneve.

“Si faktorë i kësaj dalin në shesh edhe dukuritë devijuese të punësimeve që po realizohen pa asnjë kriter të përcaktuar. Kemi punësime apo përfshirje të njerëzve në institucione pa marrë parasysh profesionalizmin, ndërgjegjshmërinë dhe përgjegjësinë. Këto dukuri që tash paraqiten , krijojnë një brengosje të qytetarët meqenëse te qytetarët vërehet një pasiguri psikike edhe fizike dhe këto pasiguri marrin përgjegjësi më të mëdha dhe përgjegjësia përsëri ngel në organet shtetërore”, ka theksuar ligjëruesi universitar Osman Kadriu.

NOA-INA

KOMENTE