Kukës: Brenda 1 Ore, Kalojne Mbi 1000 Automjete Ne Tunelin Jugor Te Autostradës Durrës-Kukës-Morinë
KUKËS, 21 maj/ATSH-R.Hoxha/ - Hapja e tunelit jugor të autostradës Durrës-Kukës-Morinë i gjatë 5.7 km sot në mesditë po lehtëson ndjeshëm lëvizjen e makinave drejt rajonit verior dhe Kosovës, ku brenda 1 ore, kanë kaluar mbi njëmijë automjete në të dy anët e tij.
Fluksi i makinave që lëvizin vijon të jetë shumë i madh, por punonjësi i policisë, Rexhep Hyseni thotë se "është fillimi dhe pasi të largohet fluksi i parë, situata do të normalizohet". Lëvizja, në të dy anët e tunelit, kontrollohet nga makinat e policisë dhe një zjarrëfikse.
Fluksi i madh i mjeteve nga të dy anët është pasojë e pritjes së udhëtarëve e tregtarëve për të lëvizur shkurt në aksin rrugor Tiranë-Kosovë.
Përmes tunelit parashikohet që gjatë sezonit turistik të lëvizin gjatë 24 orëve mbi 10 mijë automjete
Në tunelin e Thirrës kanë përfunduar gjithë punimet, që nga lyerja e deri te infrastruktura e tunelit që përmbledh ndriçimin, telefoninë, ujësjellësin, sinjalistikën etj.
Më 25 qershor 2009 u përurua tuneli verior i autostradës, që u mbyll më 5 tetor për vazhdimin e punimeve të mbartura si dhe për eliminimin e disa defekteve të paparashikuara./c.h/