Kulture/ "Agoj", Një Album Pianistik Në Ditën Botërore Të Diversitetit Kulturor
TIRANË, 21 Maj/ ATSH- Suada Daci/- Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MTKRS), në kuadër të Ditës Botërore të Diversitetit Kulturorë organizoi sot promovimin e librit "Agoj - një Album pianistik mbi motive popullore shqiptare, me autor Vaso Tole.
I mbështetur mbi 9 këngë popullore nga gjithë hapësira shqiptare, si Përmeti, Dropulli, Kolonja, Korça, Vlora, Berati, Elbasani, Shkodra, dhe Kosova, botimi krijon ndërlidhjen mes edukimit dhe arsimimit të brezit të ri me vlerat e krijuara gjatë kohërave nga grupe dhe individë të ndryshëm, si shprehje të identitetit të tyre kulturor.
Gjithçka afirmon herë rolin unik të trashëgimisë kulturore në forcimin e lidhjeve antropologjike, kulturore, sociale dhe historike të shoqërive.
I pranishëm në aktivititet ministri i TKRS, Ferdinand Xhaferaj tha se, një aktivitet i tillë që organizohet për herë të parë në Shqipëri, synon të promovojë lidhjen mes Konventës së Diversitetit Kulturor dhe Trashëgimisë Shpirtërore shqiptare.
"Kjo konfirmon ç'ka shprehet në Konventë se," trashëgimia shpirtërore e transmentuar në një brez në tjetrin rikrijohet vashdimisht nga komunitetet dhe grupet si përgjigje e gjenisë së tyre krijuese ndaj mjedisit rrethues, ndërveprimit me natyrën, historinë dhe u jep sens vazhdimësisë dhe identitetit, duke promovuar respektin dhe diversitetin kulturor dhe kreativitetin njerëzor", tha ai.
Sipas Xhaferajt, " tradita familjare, zakonet, apo ritet dhe praktikat fetare, janë pjesë e kulturës sonë, ndaj mbrojtja e diversitetit të tyre dhe transmentimi tek brezat e tjerë është jo vetëm detyrë, por edhe një mison fisnik që ne kemi marr përsipër ta zhvillojmë me tej".
Në këtë kuptim, ai tha se ndërsa aderimi në Konvetën e UNESCO-s, është hapi i parë për realizimin e qëllimit, "hapi i dytë për të cilin po punojmë është ndërtimi i një strategjie dhe plan-veprimi për Diversitetin Kulturor, me ndihmën financiare të qeverisë Spanjolle, UNDP-së, dhe UNESCO-s."
Ndërsa zv/ministri i Integrimit, Edmond Hoxha bëri të ditur se Bashkimi Europian e ka shpallur diversitetin kulturor si fokus kryesor të zhvillimit të intesitetit europian, ndaj kujdesi ndaj trashëgimisë kulturore është një kërkesë dhe një standart i rëndësishëm.
"Qeveria e konsideron diversitetin si një burim unik, ndaj mbrojtja e tij është një nga angazhimet e Shqipërisë në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit. Tjetër angazhim është edhe nxitja e shumëllojshmërisë kulturore vecanërisht në kuadërin e Deklaratës Universale të UNESCO-s, për mbrotjejn dhe nxitjen e larmisë së shprehjeve kulturore", tha ai.
Sipas tij, është e rëndësishme transmetimi i njohurive tradicionale të këtyre burimeve të pasurisë të paprekshme dhe materiale, si kontribut që siguron vazhdimësinë e njohurive kulturore të popujve përmes botimeve apo formave të tjera.
Në aktivitet nuk munguan interpretimet në piano me pjesë të librit "Agoj" nga nxënës të Liceut Artistik "Jordan Misja" Tiranë, një kolazh instrumental nga krahina të ndryshme, interpretuar nga orkestrina popullore e Ansamblit Kombëtarë të Këngëve dhe Valleve Popullore.
Dita Botërore e Diversitetit Kulturor festohet në gjithë botën që nga Nëntori 2001, kur Asambleja e Përgjithshme e Deklaratës Universale të UNESCO-s mbi Diversitetin Kulturor, në një nga Rezolutat e saj shpalli 21 Majin si ditë kur festohet dhe reflektohet mbi vlerat diversitetit kulturor dhe të jetuarit së bashku.
Përmes kësaj dite UNESCO dhe vendet anëtare të saj promovojnë rritjen e ndërgjegjësimit për marrëdhëniet mes kulturës dhe zhvillimit ekonomik të një vendi dhe rolin e teknologjive të komunikimit në këto marrëdhënie.
Aktiviteti i zhvilluar sot për herë të parë në Shqipëri, synon të promovojë lidhjen mes Konventës së Diversitetit Kulturor dhe trashëgimisë shpirëtërore shqiptare.
MTKRS me botimin "Agoj", i paraprin një sërë masave ligjore që po ndërmerr në zbatim të Konventës së Diversitetit të Shprehive Kulturore, shtet anëtar i së cilës Shqipëria është bërë në nëntor 2006./n.m/