English

Libia Kërkon Ta Ndihmojë Greqinë Të Dalë Nga Kriza

ATHINË, 21 maj /ATSH-AFP/ - Libia u shpreh e gatshme ta ndihmojë Greqinë të dalë nga kriza financiare, që po kalon vendi dhe të forcojë bashkëpunimin dypalësh në fushën e energjisë, u shpreh sot kryeministri libian Baghdadi Mahmudi në Athinë. "Kemi vullnetin politik për të mbështetur Greqinë dhe për ta ndihmuar atë të dalë nga periudha e vështirë që po kalon", deklaroi Baghdadi Mahmudi në përfundim të bisedimeve me kryeministrin grek Jorgo Papandreu. Kryeministri i Libisë, i cili ndodhet për vizitë që nga dita e djeshme në Athinë, kujtoi se vendi i tij "ka një zhvillim të madh ekonomik dhe se është i gatshëm të bashkëpunojë me Greqinë në fushën e energjisë së gjelbër, të prodhimit të energjisë elektrike dhe të turizmit si dhe të rrisë numrin e investimeve libiane në Greqi. Papandreu u shpreh se bisedimet me zyrtarin libian janë përqendruar në perspektivat e reja të bashkëpunimit mes dy vendeve në sektorët e turizmit, ndërtimit dhe energjisë". Greqia ka ndërmarrë një fushatë për tërheqjen e investitorëve të huaj për të rimëkëmbur ekonominë (parashikohet një rënie prej 4 për qind për vitin 2010) dhe për të përballuar papunësinë (12 për qind në shkurt). /I.Pu.
KOMENTE