Matura- Mash: Këtë Vit Më Shumë Mundësi Zgjedhjeje Për Maturantët
TIRANE, 21 Maj/ATSH/.- Maturantët që do të konkurojnë këtë vit për të drejta studimi në universitetet publike, do të kenë mundësi të zgjedhin më shumë degë, por edhe më shumë kuota pranimi.
Sipas Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, përveç 10 degëve të reja që janë çelur deri tani nga Këshilli i Ministrave në universitetet publike, pritet që në muajt në vijim të çelen edhe degë të reja, të cilat janë miratuar paraprakisht nga Agjencia e Akreditimit.
MASH bën të ditur se edhe kuotat e pranimit në universitete do të jenë 10% më të larta se një vit më parë.
Rritja e kuotave do t'u ofrojë maturantëve edhe më shumë mundësi për të fituar, por edhe për të zgjedhur degën e preferuar.
Provimet e maturës, sipas rregullores së MASH, do të përfundojnë brenda muajit të ardhshëm. 30 qershori është përcaktuar si dita e dhënies së provimeve me zgjedhje.
Lëndët e detyrueshme të maturës do të jepen më 1 dhe 15 qershor për gjuhë- letërsinë dhe matematikën. Këto provime për shkollat profesionale do të organizohen nga data 24 deri në 30 maj, ndërkohë që të gjithë maturantët e shkollave të mesme përfunduan sot vitin shkollor./e.gj//a.ke/