English

Meta-Hague: Marrëdhëniet Tiranë-Londër, do të forcohen më tej

Tiranë, 21 maj, NOA – Ballkani Perëndimor do të jetë një prioritet i rëndësishëm në politikën e jashtme britanike, ndërsa konferenca e Sarajevës do të jetë një moment inkurajimi për rajonin.

Një fakt të tillë sekretari britanik të Shtetit për Çështjet e Jashtme, Uilliam Hague, ia ka komunikuar ministrit shqiptar të Punëve të Jashtme, Ilir Meta, gjatë një telefonate që patën së bashku.

Meta e ka uruar për detyrën e re Hague, duke shprehur besimin tek angazhimi i mëtejshëm i qeverisë britanike si dhe tek kontributi i tij personal për Ballkanin Perëndimor.

Ndërsa Hague ka theksuar se roli konstruktiv i Shqipërisë në rajon duhet vlerësuar.

Ai shprehu kënaqësinë për të punuar me Metën dhe e siguroi atë për mbështetjen e plotë të Mbretërisë së Bashkuar në integrimin evropian të Shqipërisë.

Ndër të tjera, Meta dhe Hague biseduan edhe mbi situatën politike në Shqipëri, duke ndarë dëshirën për përmirësimin e klimës së brendshme politike dhe nënvizuar rëndësinë e vazhdimësisë së dialogut politik në vend.

n.e/NOA

KOMENTE