English

Meta-Moratinos: Kriteri politik, thelbësor në BE për statusin e kandidatit

Madrid, 21 maj, NOA - Kriteri politik është shumë i rëndësishëm për Shqipërinë mbi marrjen e statusit kandidat i Bashkimit Evropian, prandaj duhet patjetër që palët në vend duhet të zgjidhin konfliktet.

Një fakt të tillë, ministri i Punëve të Jashtme të Spanjës, Miguel Angel Moratinos, ia ka komunikuar homologut të tij shqiptar, Ilir Meta, gjatë një takimi të përbashkët që kanë zhvilluar në Madrid, në kuadrin e konsultimeve me vendin që mban Presidencën e radhës të Bashkimit Evropian.

Dy Ministrat e Jashtëm Meta dhe Moratinos i vlerësuan marrëdhëniet mes dy vendeve, si shumë të mira, në rritje të vazhdueshme dhe në një perspektivë të qartë të forcimit të mëtejshëm, në të gjitha fushat me interes reciprok.

Sikundër, bashkëbiseduesit shprehën edhe vullnetin e qeverive të të dy vendeve për të thelluar më tej dialogun politik si në planin bilateral ashtu dhe në atë të organizatave dhe nismave ndërkombëtare.

Meta nga ana e tij, vlerësoi rolin e veçantë të Spanjës për dialogun ndërkulturor, në kuadër të Aleancës së Qytetërimeve dhe e garantoi homologun spanjoll për angazhimin në rritje të Shqipërisë si një vend i cili përmbush standarde të larta si në dialogun kulturor ashtu dhe në atë ndërfetar.

Ai përshëndeti edhe qëndrimin përkrahës e nxitës të Spanjës, lidhur me procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe forcimit të perspektivës evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Nga ana e tij, spanjolli Miguel Angel Moratinos, duke vlerësuar progresin që Shqipëria ka kryer në drejtim të integrimit evropian, u shpreh se Spanja do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë gjatë këtij procesi.

a.y/NOA

KOMENTE