Msh: Edukim Në Vazhdim Edhe Për Infermierët
TIRANË, 21 Maj/ATSH-Eriola Çuko/ - Infermierët, mamitë dhe fizioterapistët, që shërbejnë në sistemin shëndetësor publik do t'i nënshtrohen proçesit të edukimit në vazhdim, që shtrihet në disa vite.
Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, ka firmosur së fundi Urdhrin për shkollimin e infermierëve me arsim të mesëm që duhet të inkuadrohen në profil profesional më të lartë.
"Urdhri për infermierët është në të njëjtën frymë me urdhrat e dhënë për mjekët, pavarësisht nga eksperienca e gjithsecilit. Në kursin e akreditimit dhe edukimit në vazhdim dhe marrjes së krediteve, janë përfshirë mjekë me eperiencë nga më të gjatat. Pra, i gjithë sistemi është përfshirë në këtë proces dhe kështu është vepruar edhe për infermirët", sqaroi sot për mediat ministri Vasili.
Sipas tij, për infermirët, duke njohur specifikat e tyre, opsionet janë më të mëdha, pasi mjekët kanë drejtim të përcaktuar.
Për infermirët janë ofruar mundësi për një kualifikim që të kryhet në kohën më të shkurtër të mundshme, sipas opsioneve që do të zgjedhin vetë (në një nga shkollat publike, apo private).
"Në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhë Shkencës, do të mundësojmë alternativa të tjera brenda spitaleve me tarifa sa më minimale, për t'u krijuar mundësi dhe alternativa, ku secili, sipas mundësive dhe dëshirës të kompletojë këtë kurs", u shpreh Vasili.
Ky formim profesional, sipas tij, ngre nivelin e shërbimit shëndetësor dhe bën më të qëndrueshëm rolin e çdo infermieri në sistem, pa e rrezikuar nga çështjet e formimit profesional.
"Ky proces shtrihet në vite, por minimalisht janë tre vite të domosdoshme për të siguruar reformën e sistemit, ku cilësia e shërbimit është një shqetësimet e mëdha që lidhet dhe me qytetarët", tha Vasili.
Në Urdhrin përkatës nuk janë përcaktuar penalizime, sikurse për mjekët, ku parashikohet ndërprerje e kontratës së punës, në rast të mosplotësimit të krediteve. Për infermirët është dhënë kohë më e gjatë dhe shumë alternativa për të përmbushur kreditet e akreditimit.
Duke vlerësuar punën e deritanishme të infermierisë në sistemin shëndetësor, Vasili theksoi se "këto janë mundësi të reja për ta konsoliduar këtë pozicion. Infermieristika është profesion universitar dhe ne duhet të ecim me hapin e kohës".
Aktualisht, në vend numërohen rreth 14 mijë punonjës të kujdesit infermieror, që përbëhet nga infermierët, mamitë dhe fizio-terapistët, laborantët dhe teknicienë të tjerë mjekësorë./n.m/